REAGIMI I SHPEJTË (APLIKIMET JANË MBYLLUR)

Cover RR Web 1 

LEVIZ ALBANIA - THIRRJE PËR APLIKIME

(APLIKIMET JANË MBYLLUR)

LevizAlbania, projekti që synon të forcojë demokracinë vendore shpall:

 THIRRJA E DEDIKUAR “REAGIMI I SHPEJTË”

MBYLLJA E HENDEKUT ARSIMOR DHE SOCIAL TË SHKAKTUAR NGA COVID-19

Thirrja qëndron e hapur deri në datën 4 Prill, 2021 (ora 23:59)

 

LevizAlbania kontribuon në forcimin e demokracisë vendore në Shqipëri duke besuar se angazhimi i qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile, është thelbësor në nxitjen e mobilizimit qytetar. Një projekt i Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, LevizAlbania zbatohet nga një konsorcium i tre organizatave shqiptare: Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Co-PLAN, dhe Partnerët Shqipëri.

Për shkak të pandemisë COVID-19 dy vitet e fundit akademike në Shqipëri janë zhvilluar në mënyrë të kufizuar. Efektet negative të mësimdhënies së cunguar janë ndjerë nga të gjithë studentët dhe nxënësit. Këto efekte kanë patur peshë specifike të ndryshme për grupe të ndryshme, duke goditur më rëndë grupmoshat e reja të pafamiljarizuara me sistemin shkollor dhe me akses të kufizuar në teknologji dhe internet.

Ndërmarrja e nismave për zbutjen e efekteve negative të mësimdhënies në kushtet e pandemisë përbën një emergjencë shumë-planëshe e cila ka një dritare të kufizuar kohore për t’u adresuar.

Sipas studiuesve Burgess dhe Sievertsen (2020), “ndjekja e shkollës është politika publike më e mirë për të rritur fëmijet [dhe…] për t’i mundësuar atyre njohuri dhe aftësi sociale”. Kësisoj, sipas tyre, edhe periudha të shkurtra mos-frekuentimi apo frekuentimi të pjesshëm mund të kenë efekte afatgjata negative në aftësitë sociale të fëmijëve dhe zhvillimin e tyre kognitiv. Këto gjetje janë konfirmuar empirikisht edhe nga studiues të tjerë si Carlsson et al. (2015), të cilët kanë argumentuar se edhe 10 ditë shkollim shtesë kanë një efekt të ndjeshëm dhe statistikisht domethënës në rezultatet shkollore të fëmijëve. Bazuar në këto fakte, që në fillim të kufizimeve të procesit mësimor prej pandemisë COVID-19, pati shumë shqetësime nga studiues, politikë-bërës dhe prindër për efektet e kufizimeve mbi aftësitë sociale dhe shkollore të nxënësve. Këtyre shqetësimeve ui dha zë edhe nga UNICEF që pohoi se, “mbyllja ose kufizimi i shkollave do të përkeqësojë krizën e arsimimit duke goditur më rëndë fëmijët nga grupet e margjinalizuara dhë të shtresave të varfëra”.

Ky përfundim bazohet në faktin që, sipas UNICEF, 34% e fëmijëve në Europën Qëndrore dhe Lindore nuk mund të kenë akses në sistemet digjitale të mësimdhënies. Ndërsa në Shqipëri, sipas AKEP, rreth 40% e familjeve nuk kanë akses në internet. Për më tepër, në zonat rurale aksesi ne internet është ndjeshëm më i ulët. Këto vështirësi reflektohen në instrumentat më të përdorur për mësimin online në Shqipëri. Specifikisht, sipas Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, 94% e mësuesve, prindërve dhe nxënësve janë shprehur se mënyra kryesore e komunikimit për mësimin online ishte whatsapp (ASCAP 2020). Ndërsa mbi 95% e nxënësve, mësuesve dhe prindërve shprehen se mjeti kryesor që kanë përdorur për mësimin online ka qenë smart phone (ASCAP 2020). Qartësisht, përdorimi i whatsapp dhe celularit në kushtet e depërtimit te pjesshëm të internetit, i cili dhe kur është prezent nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e mësimit, ka krijuar probleme te qenësishme për të gjithë nxënësit dhe studentët në Shqipëri.

Nxënësit që i kanë ndjerë më shumë vështirësitë dhe që kanë qenë më të papërgatitur për kufizimet e COVID-19 janë ata që ndjekin sistemin fillor dhe sidomos klasën e parë. Këta nxënës kanë përjetuar një tranzicion të dyfishtë: (1) hyrjen në sistemin e strukturuar arsimor dhe (2) përjetimin e kufizimeve nga COVID-19. Kësisoj, mijëra fëmijë në Shqipëri nuk e dinë se si zhvillohet mësimi ‘normalisht’ dhe nuk i kanë përftuar aftësitë e nevojshme për të ecur përpara. Sipas UNICEF, ky përbën një kërcënim serioz për arritjet e tyre akademike dhe aftësitë shoqërore.

Duke qenë se arsimimi efikas, sidomos në fillimet e tij, është thelbësor për arritjet e mëvonshme akademike dhe profesionale, boshllëqet e krijuara në këtë fazë mund të kenë pasoja negative për një brez të tërë. Po aq e rëndësishme, izolimi i vazhdueshëm nga bashkëmoshatarët për një kohë të zgjatur paraqet sfida serioze për aftësinë e fëmijëve për të komunikuar në mënyrë efektive dhe krijuar lidhje shoqërore të qëndrueshme me bashkëmoshatarët dhe komunitetin. Këto fenomene, përveçse kërcënojnë arritjet akademike të nxënësve, kërcëcojnë edhe aftësitë e tyre për të qenë qytetarë të angazhuar në komunitet.

Reagimi i Shpejtë është një instrument i cili mundëson mbështetje emergjente për aktorët e shoqërisë civile që kërkojnë reagim të menjëhershëm në situata specifike siç janë edhe efektet negative të mësimdhënies në kushtet e pandemisë për të cilat nuk ka kohë të mjaftueshme për të reaguar përmes instrumentit standard të grantdhënies të LevizAlbania, sikundër janë ‘Thirrjet për Aplikime’.

Bazuar në sa më sipër, LevizAlbania është e gatshme të mbështesë ndërhyrjet të cilat adresojnë efektet negative të kufizimeve të shkollimit si pasojë e COVID-19. Duke marrë parasysh faktin se arsimi është kumulativ dhe i vazhdueshëm, që ndërhyjet të jenë të efektshme ato duhen marrë në kohë, që do të thotë përpara fillimit të vitit akademik 2021 – 2022. Po aq e rëndësishme, bazuar edhe në objektivat e LevizAlbania, këto ndërhyrje duhet të synojnë - përveç ndihmës në tejkalimin e hendeqeve arsimore dhe sociale – fuqizimin e nxënësve, duke i pajisur me aftësitë e nevojshme sociale dhe emotive, për të qenë qytetarë të angazhuar.

Specifikisht, LevizAlbania – nëpërmjet instrumentit të “Reagimit i Shpejtë” - do të mbështesë një program të strukturuar shkollash verore që lehtësojnë/adresojnë boshllëqet akademike dhe sociale të krijuara nga kufizimet e COVID-19 për nxënësit në arsimin fillor dhe sidomos në klasë të parë në lokalitete me qasje të kufizuar në teknologji dhe internet.

Shkollat verore duhet të zhvillohen gjatë periudhës qershor-korrik-gusht 2021 dhe duhet të kenë një qasje të strukturuar përsa i përket gjithëpërfshirjes, metodave dhe instrumentave që do të përdoren sikurse dhe angazhimit të komunitetit. Vëmendje te caktuar në këto tipologji ndërhyrjesh duhet të ketë dhe përfshirja e të rrinjve, duke i bërë aktorë aktiv në dhënien e shembujve konkret të angazhimit, në ndërmarrjen e aksioneve konkrete dhe adresimin e çështjeve me rëndësi për të përmirësuar një situatë apo problematikë, sic ështe dhe ajo e shkaktuar në brezat më të hershëm nga efektet negative të mësimdhënies në kushtet e pandemisë.

 

Në Thirrjen e dedikuar ‘Reagimi i Shpejtë’ mund të aplikoni VETËM ONLINE!

Aplikimet mund të paraqiten nga Organizata të Shoqërisë Civile, Grupe Informale apo Individë. Aplikimet mund të paraqiten nga Organizata të Shoqërisë Civile, Grupe Informale apo Individë. LevizAlbania do t’i përgjigjet aplikimit tuaj brenda 10-15 ditëve (ditë pune) nga përfundimi i afatit të thirrjes për aplikime.

Madhësia e granteve dhe afati i zbatimit të projekteve përmes instrumentit ‘Reagimi i Shpejtë’:

  • Kufiri maksimal i granteve për Organizata është 15,000 CHF;
  • Kufiri maksimal i granteve për Grupet Informale është 10,000 CHF;
  • Kufiri maksimal i granteve për Individë është 7,000 CHF;
  • Afati për zbatimin e një projekti është nga 1 deri në 6 muaj.

 

PËRPARA SE TË APLIKONI LEXONI UDHËZUESIN E THIRRJES REAGIMI I SHPEJTË DUKE KLIKUAR KËTU

 

LevizAlbania mbështet ide që sjellin ndryshimin e prekshëm për qytetarët dhe përmirësojnë cilësinë e qeverisjes vendore në komunitet.