Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

BLOG: KONTRIBUTI I LEVIZALBANIA PËR DEMOKRACINË DIXHITALE LOKALE NË SHQIPËRI

BLOG: KONTRIBUTI I LEVIZALBANIA PËR DEMOKRACINË DIXHITALE LOKALE NË SHQIPËRI

Autorë: Blerjana Bino, Konsulente e Menaxhimit të Njohurive

Anahi Martinez, Menaxhere e Granteve, Monitorimit dhe Shoqërisë Civile , LevizAlbania

 

Paragraf përmbledhës

Çfarë është demokracia dixhitale? Pse demokracia dixhitale në nivel vendor ka më shumë mundësi të jetë e suksesshme? Cili ka qenë kontributi i LevizAlbania në mbështetjen e nismave që nxisin demokracinë dixhitale në nivel vendor në Shqipëri? Si mund të përforcohet më tej demokracia dixhitale në nivel vendor? Ky artikull përpiqet ti japi përgjigje këtyre pyetjeve duke u bazuar në përvojën e LevizAlbania dhe forumit rajonal për praktikat e demokracisë dixhitale në Shqipëri. Artikulli argumenton që transforimi digjital ofron një mundësi për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në nivel v endor, përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies si edhe proceseve vendimmarëse, por njëkohësisht kërkon vullnet politik dhe investime në infrastrukturë dixhitale nga njëra anë dhe nga ana tjetër kërkon aftësim dixhitale, angazhim dhe mobilizim qytetar.

Hyrje

Zbatimi në praktikë i teknologjisë për të përmirësuar dhe lehtësuar proceset e demokracisë vendore cilësohet si demokraci dixhitale (shih artikullin). Në kushtet e digjitalizimit të shpejtë dhe të gjithëanshëm dhe duke marrë parasysh ndryshimet e ndërthurura sociale e politike, është e rëndësishme që të kuptojmë se si transformimi teknologjik ndikon edhe demokracinë vendore. Qëllimi i këtij artikulli është që të reflektojë rreth kontributit të LevizAlbania në demokracinë dixhitale në Shqipëri përmes mbështetjes së formave të ndryshme të zbatimit të teknologjisë për angazhim qytetar dhe pjesëmarrjes në vendimmarrje, monitorimit dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.

Që nga viti 2015, LevizAlbania (LA) është fokusuar në fuqizimin e aktorëve shoqëror në nivel vendor për të mbështetur demokracinë, duke u mundësuar organizatave të shoqërisë civile, grupeve informale dhe individëve që të angazhohen dhe të marrin pjesë në proceset demokratike vendore, duke rritur kërkesën për transparencë, llogaridhëniedhe shërbime publike efektive.  LA ka krijuar një rrjet partnerësh lokalë, ka bërë ndërhyrje të ndryshme dhe plotësuese të njëra tjetrës dhe ka pasur një shtrirje të gjerë gjeografike, duke grumbulluar njohuri për mekanizmat që formësojnë efektivitetin e mbështetjes së demokracisë dhe angazhimit qytetar në nivel vendor.

Grantmarrësit e LA (organizata, individë dhe grupe informale) kanë marrë mbështetje për të përdorur instrumentet digjitalë për të nxitur demokracinë vendore, kryesisht përmes përdorimit të digjitalizimit për monitorimin e premtimeve zgjedhore apo shërbimeve të bashkisë, për të rritur transparencën dhe forcuar llogaridhënien. Këto instrumente janë përdorur edhe për të ndërgjegjësuar dhe aftësuar qytetarët, apo grupe të caktuara si të rinjtë, grupet e skajuara, për të qenë më aktivë dhe më pjesëmarrës, për të monitoruar dhe për të ndërvepruar me qeverisjen vendore.

Krijimi i platformave online për monitorim, transparencë, llogaridhënie dhe për ti dhënë zë qytetarëve ka qenë forma kryesore e përdorur. Megjithatë, sfida kryesore mbeten: së pari qëndrueshmëria financiare e këtyre platformave; së dyti, ndërlidhja e tyre me platforma ekzistuese të qeverisjes vendore apo shoqërisë civile; së treti, përdorueshmëria e tyre në masë nga qytetarët edhe përtej jetës së projektit (që I ka ndërtuar); së katërti, kalimi nga monitorimi tek veprimi dhe krijimi i komuniteteve për angazhim dhe mobilizim.

 

Si ta kuptojmë demokracinë dixhitale?

Në parim, demokracia është një sistem politik që mundëson një qeverisje të drejtë dhe përfaqësuese. Megjithatë, në praktikë demokracia është zhvilluar në nivele të ndryshme në vende të ndryshme (shihni p.sh. renditjen e Freedom House). Në shoqërinë bashkëkohore është konfirmuar një krizë besimi në sistemin e demokracisë përfaqësuese dhe kjo është problematike. Në përgjigje të ndryshimeve komplekse shoqërore, politike, kulturore, sociale, ekonomike dhe teknologjike, sistemet demokratike kanë nevojë për inovacion për të siguruar që qeveriset në mënyrë të përgjegjshme, efektive, të drejtë dhe transparente. Kështu, Interneti dhe zhvillimet e shpejta teknologjike u panë si mundësi të arta për të rivitalizuar qeveritë demokratike dhe për të rritur besimin e publikut. Pritshmëria është që përmes teknologjisë dhe Internetit do të bëhet e mundur një përfshirje dhe angazhim më i madh dhe i drejtpërdrejtë i qytetarëve në proceset demokratike.

Tashmë janë zhvilluar forma të ndryshme të demokracisë dixhitale, pra të përdorimit të mjeteve dixhitale (teknologjia dhe Interneti) për të përmirësuar strukturat e përfaqësimit, proceset e vendimmarrjes dhe angazhimin e pjesëmarrjen qytetare. Përgjithësisht digjitalizimi i shërbimeve publike njihet si e-government (psh e-Albania platforma e shërbimeve publike dixhitale në Shqipëri), ndërsa digjitalizimi i pjesëmarrjes dhe proceseve vendimmarrëse njihet si e-democracy ose demokracia dixhitale. Në thelb teknologjia dixhitale shërbën si një mundësues i formave të ndryshme të inovacionit demokratik (demokracia direkte, pjesëmarrëse, kuvenduese dhe përfaqësuese). Më shumë rreth teorisë për demokracinë dixhitale mund të lexoni në këtë artikull.

Demokracia dixhitale ka disa përfitime: angazhimi masiv i qytetarëve përmes formave që kanë kosto financiare dhe kohore më të ulta sesa format e tjera (p.sh. organizimi i një dëgjese publike me Këshillin Bashkiak online vs takim fizik i një grupi të madh pjesëmarrësish[1]); mundëson instrumente efektivë për monitorimin e transparencës dhe rritjen e llogaridhënies së aktorëve vendor (krijimi i instrumentave për monitorimin qytetar mbi kontraktorë të Bashkive për shërbime dhe investime publike si p.sh.Open Corporates[2]); ofron mundësi për pjesëmarrje pavarësisht kufizimeve fizike apo gjeografike e kohore (ushtrimi i të drejtës qytetare për të kërkuar nga qeverisja vendore si p.sh. përdorimi i peticioneve on-line QytetarIN[3]). Megjithatë, demokracia dixhitale kërkon më së paku infrastrukturën e nevojshme teknologjike, aksesin në infrastrukturë, aftësitë dixhitale dhe investime financiare (p.sh. ndërtimi i një platform dixhitale për buxhetimin me pjësëmarrje buxhetim.al[4]) si edhe vullnet dhe investime nga ana e qeverisjës vendore për të përbrendësuar këto instrumenta të reja dixhitale në punën e tyre të përditshme.

Megjithatë, koncepti dhe praktikat e demokracisë dixhitale janë shumë komplekse dhe të lidhura ngushtë me kontekstin politik, sistemin e qeverisjes, nivelin e angazhimit qytetar, nivelin e zhvillimit dhe aksesit në teknologji dhe faktorë të tjerë social dhe kulturor. Pavarësisht këtij kompleksiteti që nuk është temë e këtij artikulli, demokracia dixhitale shërbën si koncept nga pikëpamja normative - na mundëson të mendojmë për demokracinë si një formë e hapur, dinamike dhe në zhvillim të vazhdueshëm, e organizimit politik. Prandaj, demokracia dixhitale nuk duhet parë as si një model utopik i një të ardhmeje të afërt dhe as si një transformim i thjeshtë teknologjik i institucioneve ekzistuese demokratike (shih artikullin). Pra demokracia digjitiale duhet të analizohet si nga këndvështrimi i sistemit politik ashtu edhe nga ai i transformimit dhe infrastrukturës dixhitale në një kontekst të caktuar social.

Përvoja e LA në mbështetje të demokracisë dixhitale në nivel vendor

Përveç nismave të përmendura më sipër, disa nga nismat shtese që janë mbështetur nga LevizAlbania:

Monitorimi i zbatimit të ligjeve të transparencës nga Këshillat Bashkiakë (INFOCIP) sa i takon zbatueshmërisë së ligjit Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” përmes monitorimit të këshillave bashkiak në Tiranë, Kamëz dhe Vorë për zbatimin e kapitullit IV dhe IX të këtij ligji dhe nxitjen edhe të monitorimit qytetar dhe angazhimit për një vendimmarrje transparente.

“Advokimi dhe nxitja e qytetarëve dhe medias, për të marrë pjesë në qeverisjen vendore dhe llogaridhënien e saj, për të ushtruar presion në realizimin e premtimeve elektorale” – Forumi i Mendimit të Lirë. Projekti ka nxitur advokimin qytetarët për të kërkuar nga bashkia zgjidhjen e problemeve emergjente dhe realizimin e premtimeve zgjedhore. Në mënyrë specifike projekti është ndalur tek bashkëpunimi dhe lobimi i medias për të denoncuar problemet që janë në kompetencë të bashkisë, veçanërisht ato që lidhen me ndotjen e mjedisit.

Platforma multimediale vendore në Gjirokastër: “Qeverisje e Hapur” / Raimond Kola – Gjirokastër. Projekti ka kontribuar në rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në politikat e qeverisësve të Bashkive nëpërmjet mjeteve multimediale mediatike (Facebook, Blog, Revistë) si edhe ndërgjegjësimi dhe ndihma praktike ndaj qytetarëve për marrjen e informacionit mbi bazë të Ligjit për të Drejtën e Informimit.

Transporti Publik në Tiranë. Rëndësia e përfshirjes së qytetarëve në vendim-marrje – Qendra Alterum. Projekti fokusohet në jetëzimin e një modeli që nga njëra anë përfshin qytetarët në identifikimin e problemeve dhe advokimin për përmirësimin e tyre dhe nga ana tjetër rrit llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e pushtetit vendor. Gjithashut, projekti synon edhe rritjen e sigurisë dhe cilësisë në transportin urban duke ndërgjegjësuar dhe maksimizuar rolin e qytetarëve, grupeve të interesit me anë të përfshirjes aktive në procesin e vendimarrjes dhe advokim ligjor në lidhje me mjetet që mund të përdoren nga qytetarët/grupet e interesit për të kundërshtuar/shfuqizuar, monitoruar vendimet e Këshillit Bashkiak në lidhje me transportin publik.

Përdor teknologjinë, përmirëso demokracinë! – Qendra A.L.T.R.I. Qëllimi është mundësimi i aftësive dixhitale të qytetarëve për të kuptuar dhe përdorur në mënyrë efektive instrumentet e demokracisë dixhitale.

 

Mësimet e nxjerra

LevizAlbania ka mbështetur disa nisma pionere në fushën e demokracisë dixhitale sikurse u analizua edhe në këtë artikull të cilat kanë treguar sesi mund të zbatohen në praktikë instrumentat e demokracisë dixhitale në nivel vendor. Në gamën e gjerë të praktikave të demokracisë dixhitale, përvoja e grantmarrësve ka qenë në krijimin e platformave online për monitorim të qeverisjes vendore, nxitje të kërkesës për transparencë dhe llogaridhënie nga bashkitë dhe këshillat bashkiakë si edhe për ti dhënë zë qytetarëve për të qenë më të angazhuar. LevizAlbania, edhe pse nuk e ka pasur objektiv specifik demokracinë dixhitale në nivel vendor, gjithësesi ka dhënë një kontribut me rëndësi për përhapjen e popullarizimin praktikave të demokracisë dixhitale në nivel vendor. Ky proces i mbështetjes së nismave të tilla ka pasur disa sfida kryesore të cilat vlejnë jo vetëm për LevizAlbania, por janë mësime të nxjerra që i shërbejnë edhe aktorëve të tjerë të interesuar për demokracinë dixhitale në nivel vendor.

Së pari, mbështetja e nismave të ndryshme në shtrirje gjeografike të ndryshme nga njëra anë ka rritur larmishmërinë e praktikave të demokracisë dixhitale, por nga ana tjetër LevizAlbania nuk mund të kishte një kuadër më strategjik dhe koordinues të këtyre nismave duke marrë në konsideratë teorinë e ndryshimit dhe qëllimin e vetë LevizAlbania. Në të ardhmen do të ishte e këshillueshme për aktorë të tjerë që do të zbatojnë ndërhyrje në demokracinë dixhitale të ndërtojnë një teori ndryshimi specifike sesi teknologjia do të përforcojë demokracinë vendore në Shqipëri.

Së dyti, qëndrueshmëria e platformave të ngritura nga këto nisma të mbështetura nga LevizAlbania mbetet sfiduese, sidomos ajo financiare. Një mësim i nxjerrë këtu është që aktorët shoqëror që ndërmarrin nisma të tilla duhet të fuqizohen dhe të mbështeten për të gjetur forma të tjera për të siguruar qëndrueshmërinë e platformave, pas përfundimit të mbështetjes. Ndërlidhja dhe bashkëpunimi me aktorë të tjerë vendorë mund të ishte një mënyrë tjetër për të siguruar më shumë qendrueshmëri. Kështu bashkëpunimi me universitetet mund të shërbejë për të siguruar qëndrueshmërinë e burimeve njerëzore, ndërkohë që aleancat me mediat lokale rrit promovim e nismave dhe mund të kontribuojë në një angazhim më të madh nga publiku në këto platforma.

Së treti, përdorueshmëria e tyre në masë nga qytetarët edhe përtej jetës së projektit mbetet sfiduese dhe kërkohen strategji komunikimi dhe angazhimi të tilla që të mund të arrijnë tek grupe të ndryshme qytetare. Përvoja e grantmarrësve të LevizAlbania tregon se është e nevojshme një ndërthurrje mes përdorimit të mediave sociale, aleanca me mediat lokale dhe rrjetëzim me aktorë të tjerë vendore për të nxitur qytetarët që t’i përdorin platformat. Për më tepër edhe ndërgjegjësimi dhe edukimi rreth praktikave të demokracisë dixhitale është gjithashtu e nevojshme.

Një sfidë e katërt është ajo e kalimit nga monitorimi tek veprimi dhe krijimi i komuniteteve për angazhim dhe mobilizim. Praktikat e deritanishme të demokracisë dixhitale në nivel vendor e kanë përqëndruar më shumë energjinë tek monitorimi sesa tek veprimi. Ndërkohë që monitorimi dhe informimi shërbejnë për nxitjen e transparencës së qeverisjes vendore, është e nevojshme që nismat e demokracisë dixhitale të përqendrohen edhe tek mënyrat sesi mund të përdoren mjetet dixhitale për të nxitur pjesëmarrjen dhe angazhimin qytetar.  Një mësim tjetër i nxjerrë është që në hartimin e këtyre nismave duhet menduar dhe planifikuar mënyra sesi do të angazhohen dhe mobilizohen qytetarët dhe grupet shoqërore në demokracinë dixhitale. Ndërkohë që mobilizimi në sferën publike dixhitale mund të jetë më lehtë i realizueshëm, kalimi nga online në mobilizim offline në praktikë është më sfidues dhe përbën një fushë veprimi ende në zhvillim. Një shumësi studimesh kanë treguar se teknologjitë dixhitale, dhe veçanërisht hapësirat që lejojnë ndërveprimin social, mund të lehtësojnë format e angazhimit politik (shih artikullin). Disa e cilësojnë pjesëmarrjen politike online si “clicktivism”, ndërkohë që të tjerë studiues arsyetojnë se është e dobishme të kuptojmë që pjesëmarrja dhe angazhimi qytetar nuk është një-dimensional, por shumë dimensional duke ndërthurur forma të ndryshme qofshin dixhitale ose fizike ku asnjëra nuk ka përparësi mbi tjetrën por janë plotësuese të njëra tjetrës. Megjithatë ka ende hapësirë për të studiuar me themel arsyet që i shtyjnë qytetarët të kalojnë nga mobilizimi online në atë offline.

Së fundi, pabarazia dixhitale sa i takon aftësive dixhitale dhe aksesit në infrastrukturën dixhitale dhe Internet është parakusht për një nismë të sukssesshme për demokracinë dixhitale. Përgjithësisht në nismat e demokracisë dixhitale marrin pjesë të njëjtat grupe shoqërore që janë më të prirur për të qenë aktiv dhe që kanë aftësi dhe akses në botën dixhitale. Për praktika të suksesshme dhe të qëndrueshme kërkohet që të punohet me parimin e digjitalizimit gjithëpërfshirës, që kërkon zbutjen e hendekut mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë akses në Internet dhe infrastrukturë dixhitale. Këtu natyrisht që i referohemi qytetarëve nga njëra anë, por edhe punojësve dhe përfaqësuesve të qeverisjes vendore, që duhet të jenë pjesë e procesit të aftësimit digjital. Bashkitë jo vetëm duhet të përqafojnë këtë mundësi për inovacion demokratik, por edhe duhet të investojnë në infrastrukturën e tyre teknologjike dhe aftësimin digjital të punonjësve të tyre. 

 

Përfundime dhe rekomandimet për të ardhmen

Ndërsa teknologjia ka transformuar mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe komunikojmë, sistemet qeverisëse kërkojnë më shumë kohë që të transformohen dhe ti përgjigjen ndryshimeve. Qeverisja vendore ka në veçanti një potencial edhe më të madh për demokracinë dixhitale pasi ka detyrimin të angazhojë qytetarët në çështjet e përditshmetë jetës në komunitet. Kështu që teknologjia është mjeti me të cilin qeverisja vendore mund të nxisë këtë marrëdhënie të hapur me qytetarët për një qeverisje më të mirë, të përgjegjshme dhe transparente. Ndaj edhe aktorët shoqërore duhet të ushtrojnë presion dhe të ndërmarrin nisma që mundësojnë përforcimin e praktikave të demokracisë dixhitale në nivel vendor.

Në përfundim, duhet të mbajmë parasysh se demokracia dixhitale është një formë e angazhimit të qytetarëve duke përdorur teknologjinë dhe është pjesë e një fushe më të gjerë të inovacionit demokratik që përfshin demokracinë konsultative (me anë të diskutimit) dhe demokracinë pjesëmarrëse (ku qytetarët mund të përfshihen në procesin e vendimmarrjes). Demokracia dixhitale është një mënyrë për të mundësuar angazhimin dhe pjesëmarrjen. Megjithatë praktikat e demokracisë dixhitale nuk mund të jenë të orientuara vetëm kah teknologjisë si formë, por kah demokracisë, pra qeverisjes së hapur, transparente, llogaridhënies dhe angazhimit qytetar, si thelb.

Disa nga rekomandimet në këtë drejtim janë:

  • Duhet të punohet për digjitalizimin gjithpërfshirës duke ideuar dhe mbështetur financiarisht nisma që sigurojnë akses në internet dhe infrastrukturë dixhitale për grupet e skajuara.
  • Është e rëndësishme të punohet me aftësimin digjital të qytetarëve dhe grupeve shoqërore që të mund të përfitojnë nga e-shërbimet apo nga mundësitë e demokracisë dixhitale.
  • Instrumentat digjital nuk janë përjashtues me format trandicionale të angazhimit dhe pjesëmarrjes, por janë plotësues.
  • Është e rëndësishme që të përqendrohen burimet edhe tek ndërlidhja, integrimi dhe qëndrueshmëria e platformave duke siguruar një qasje më strategjike, koordinim më të mirë, aleanca vendore dhe komunikim të vazhdueshëm edhe me qytetarët.
  • Ndërkohë që përdorimi i mjeteve dixhitale nga aktorët shoqërorë për të nxitur transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes vendore dhe pjesëmarrjen qytetare janë forma të vlefshme dhe që duhen mbështetur në vazhdim, është gjithashtu e rëndësishme që shoqëria të vazhdoj të ushtrojë ndikim tek qeverisja vendore për të qenë ajo më e hapur, transparente dhe llogaridhënëse përmes përprendësimit të parimeve dhe vendosjes në praktikë të demokracisë dixhitale.
  • Për të kuptuar më mirë praktikat e demokracisë dixhitale në Shqipëri deri më tani, është e rëndësishme të analizohet kontributit i LevizAlbania si edhe i nismave të tjera në një kontekst më të gjerë edhe të zhvillimeve të tjera në demokracinë vendore. Në këtë mënyrë mund të sigurohen të dhëna që të informojnë ndërhyrje të ardhshme strategjike për demokracinë dixhitale.

 

Rreth LevizAlbania

LevizAlbania është projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i zbatuar nga një konsorcium i (i) Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), (ii) Partnerëve Shqipëri dhe (iii) Co-Plan. Që nga viti 2015, LA ka kontribuar në rritjen e demokracisë lokale, përmes granteve për Organizatat Jofitimprurëse (OJF), grupet informale dhe individëve, duke mbështetur kërkesën e tyre për qeverisje vendore transparente dhe të përgjegjshme dhe shërbime publike efikase. Projekti mbështet ndërtimin e koalicioneve për të nxitur ndryshime strukturore dhe sistematike në nivel lokal dhe kombëtar dhe për të promovuar praktikat pozitive në mbështetje të demokracisë lokale.

Sistemi i Menaxhimit të Njohurive dhe Platforma e Angazhimit Qytetar

Platforma për Menaxhimin e Njohurive dhe Angazhimin Qytetar të LevizAlbania ka si qëllim mbledhjen, strukturimin dhe kapitalizimin e gjithë kontributit dhe arritjeve të LA në 6 vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, ky ushtrim shqyrton sfidat me të cilat përballet LevizAlbania në arritjen e objektivave të saj, por edhe sfidat e grantmarrësve dhe kontekstin më të gjerë të demokracisë lokale. Menaxhimi i njohurive analizon proceset e brendshme dhe të jashtme të LA si dhe koncepton ngritjen e mekanizmave bazuar në nevojat e identifikuara. Kjo qasje e zgjedhur synon të përmirësojë efektivitetin e projekteve të reja dhe do të rrënjos një kulturë të përdorimit sistematik dhe të strukturuar të njohurive të marra, duke përdorur instrumentet dhe mekanizmat (platformën) e ngritura. Sistemi i Menaxhimit të Njohurisë dhe Platforma e Angazhimit Qytetar kontribuon në rritjen e efektivitetit të ndërhyrjeve dhe mundëson një analizë të thellë dhe pasqyrë të sfidave për mbështetjen e demokracisë lokale dhe angazhimit qytetar. Ekspertët e angazhuar për këtë nga LevizAlbania (renditje alfabetike): Blerjana Bino dhe Gentian Elezi.

 

[1] Gjatë kohës së pandemisë Covid-19, në përputhje me të gjitha masat e vendosura, disa projekte të Thirrjes për Aplikime Nr. 6 të LevizAlbania kanë siguruar pjesëmarrjen e qytetarëve në diskutime me Keshillat Bashkiake online. Për shëmbull: Projekti “Aktivizimi dhe fuqizimi i të rinjve për të qenë pjesë e vendimmarrjes lokale, nëpërmjet fjalës së lirë dhe aksionit qytetari zbatuar nga Fondacioni “Sustaining Inclusive Growth” në Bashkinë e Pogradecit arriti që një grup rinor të marrë pjesë në disa mbledhje të Këshillit Vendor online gjatë periudhës së pandemisë. Ata kërkua që këto takime të shpalleshin publikisht brenda afatit ligjor dhe me kuorumin e nevojshëm dhe siguruan aksesin në Zoom dhe morën pjesë në diskutime të ndryshme. Projekti “Shërbime për qytetarët me qytetarët- Rasti i Bashkisë Lushnje” i zbatuar nga Instituti i Studimeve Publike dhe Ligjore në Bashkinë e Lushnjes ka nxisë grupimin qytetar e trajnuar nga projekti t’i diskutojë online me ekzekutivin e Bashksië, si dhe me dy anëtarë të Këshillit, në rrugë të ndryshme avokuese të katër propozimet e detajuara.

[2] Projekti i Thirrjes Nr. 7 të LevizAlbania “Monitorim Qytetar dhe Transparencë mbi Kontraktor të Bashkive për Shërbime dhe Investime Publike”, i zbatuar nga Instituti Shqiptar i Shkencave (Open Data Albania). Projekti arriti të hapë të dhëna për kontraktor që janë biznese që kanë fituar një tender me bashkitë. Informacioni i hapur është vendosur në një pasaportë ku në pak sekonda çdo qytetar, gazetar, aktor civil, apo zyrtar kupton kush është zotëruesi i biznesit, çfarë performance ekonomike ka ky biznes, objekt i tij i veprimtarisë, licencat që ka, të dhëna për administrator, të dhëna dhe listime për kontrata të tjera sipas bashkive, partneritete që ka me biznese të tjera. Pasaporta ka lidhje edhe me informacionin për vlera transaksione thesari në favor të këtij biznesi. Një algoritëm i krijuar dhe zhvilluar me kujdes si instrument antikorrupsion për vlerësim risku identifikon bizneset për të cila ka indice se janë të favorizuara nga mungesa e konkurrencës, mungesa e garës, parregullsitë apo eficensa e ulët.

[3] Projekti i Thirrjes Nr. 6 të LevizAlbania “QytetarIN” i zbatuar nga Qëndresa Qytetare i zbatuar nga Qëndresa Qytetare. Gjatë vitit 2020, ku pandemia izoloi mundësitë e veprimit, Qëndresa Qytetare nëpërmejt ofrimit të mundësisë së nënshkrimit elektronik të peticioneve ku disa grupe interesi të mbështetura ligjërisht dhe teknikisht nga ekipi i Qëndresës Qytetare arritën tja dalin për të ndikuar axhendën e Këshillit Bashkiak Tiranë dhe bashkisë duke transformuar lagjen e tyre dhe marrë mbrapsht tarifat që ju takonin me ligj. Nëpërmjet nënshkrimit në peticion dhe pjesëmarrjes në aktivitete u përfshinë 1299 qytetarë, 755 e të cilëve janë gra dhe vajza. Përfitues indirekt ishin 5400 studentë banorë të Qytetit Studenti të cilëve iu reduktua tarifa, rreth 500 banorë të Lagjes së Ish- Poligrafikut që vuanin praninë e mbetjeve në zonë si edhe mbi 20 000 studentë përdorues të transportit publik në kryeqytet të cilët përfituan abone studenti. Nga 2022, me projektin strategjik  e LevizAlbania “#PërQytetin” i zbatuar nga Qëndresa Qytetare,  platforma dhe modeli i ndërtuar me QytetarIN po implementohet edhe në Durrës në partneritet me organizatën Durrësi Aktiv dhe në Kurbin me organizatën Qendra Sebastia.

[4] LevizAlbania mbështeti Institutin Agenda në krijimin, pilotimin dhe shtrirjen e platformës për pjesëmarrjen qytetare buxhetim.al.  Kjo platformë u zhvillua fillimisht si rezultat i projektit "Pjesëmarrja aktive e qytetarëve në hartimin e buxhetit të bashkive të Durrësit, Elbasanit dhe Korçës" dhe më vonë u zgjerua përmes projektit "Zgjerimi i platformës buxhetim.al në 20 bashki të vendit”.  Me projektin e Thirrjes Nr. 6 të LevizAlbania “Shtrirja dhe konsolidimi i instrumentit online të pjesëmarrjes qytetare buxhetim.al në 61 bashkitë e vendit” 55.908 qytetarë përdorën platformën buxhetimi.al për të shprehur prioritetet e tyre në buxhetin për vitin 2021.

Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë

+355 44 500 153