Lëviz Albania

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

LEVIZALBANIA - PËR NJË DEMOKRACI TË FORTË VENDORE LEVIZALBANIA – LOCAL DEMOCRACY IN ACTION

BLOG: ALEANCAT DHE KOALICIONET E SHOQËRISË CIVILE

BLOG: ALEANCAT DHE KOALICIONET E SHOQËRISË CIVILE

Autorë:

Blerjana Bino, Gentian Elezi, Konsulentë të Menaxhimit të Njohurive

Saimir Musta, LevizAlbania

Përmbledhje

Ky artikull analizon tematikën e aleancave dhe koalicioneve vendore në kontekstin e shoqërisë civile në Shqipëri. Tema e trajtuar përbën një element interesant në kuadrin e formateve dhe instrumenteve të bashkëpunimit, e prandaj fokusi i artikullit është kryesisht tek karakteristikat dhe sfidat që paraqet kjo sferë. Duke eksploruar edhe konceptet e eksperiencat e mëparshme, analizohen elementë si formati dhe strukturimi i bashkëpunimit, komunikimi, gjithëpërfshirja dhe koordinimi, ruajtja e identitetit dhe profilit të organizatave, si dhe dimensioni i ndikimit tek politikëbërësit. Artikulli mbyllet me disa rekomandime që i adresohen donatorëve dhe organizatave të shoqërisë civile, si aspekte kyçe për t'u adresuar në praktikat e ngritjes së aleancave apo koalicioneve me organizatat e shoqërisë civile.

Hyrje

Qëllimi i këtij artikulli është të analizojë tiparet kryesore të bashkëpunimit dhe aleancave në sferën e shoqërisë civile, duke u ndalur edhe tek konteksti shqiptar dhe eksperienca e LevizAlbania (LA). Ndërtimi i lidhjeve të reja midis aktorëve të shoqërisë civile njihet në literature si instrument i dobishëm dhe efikas në shumë drejtime, sidomos për disa fusha që kanë në thelb angazhimin qytetar, si mjedisi. Për këtë arsye, pas më shumë se dy dekadash aktivizmi dhe pune në komunitet të organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri, është e rëndësishme të kuptojmë pak më shumë mbi dimensionet e këtij bashkëpunimi, përfitimet dhe impaktin që sjell, si dhe sfidat që paraqet. Për këtë tematikë, LA organizoi edhe një aktivitet të hapur në datë 23 Maj në Korçë, ku më shumë se 50 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile si dhe aleancave të ndryshme me fokus sidomos mjedisin, u mblodhën dhe diskutuan mbi sfidat dhe idetë e përbashkëta për të inkurajuar më tej bashkëpunimin. Disa nga komentet dhe rekomandimet e atij aktiviteti janë të reflektuara edhe në këtë artikull.

Fillimisht, artikulli shpjegon konceptin e aleancave në kuadër të shoqërisë civile, duke u ndalur tek përkufizimet kryesore dhe tiparet e kontekstin në të cilat zhvillohen e kanë më shumë sukses. Më pas, analiza vazhdon me kontekstin shqiptar duke radhitur disa nga sfidat e paraqitura nga organizatat dhe aleancat e ndryshme, si dhe nga të dhënat e mbledhura. Konkretisht, kjo pjese do të trajtojë edhe eksperiencën e LA në këtë kontekst, si dhe gjetjet mbi projektet e zbatuara duke mbështetur aleancat.

Në përfundim, do të diskutohet mbi mësimet e nxjerra dhe rekomandimet për të ardhmen, duke u fokusuar sidomos tek stadi aktual i zhvillimit të koalicioneve në Shqipëri dhe përvoja e LA me mbështetjen e dhënë ndaj tyre.

Konceptimi i aleancave në sferën e shoqërisë civile

Format e organizimit të përbashkët dhe të bashkëpunimit në sferën e shoqërisë civile janë të shumëllojshme. Megjithatë, praktika ka regjistruar kryesisht tre formate të rëndësishme: rrjetet, koalicionet dhe aleancat.  Rrjetet përbëhen nga individë ose organizata që ndajnë informacione, ide dhe burime për të përmbushur qëllimet individuale ose grupore. Rrjetëzimi është një proces i marrjes së burimeve dhe ndërtimit të fuqisë duke përdorur ose krijuar lidhje midis dy ose më shumë individëve, grupeve ose organizatave. Rrjetet priren të jenë fleksibël dhe bëjnë bashkë grupe me një interes ose shqetësim i përbashkët për të shkëmbyer informacione dhe ide.

Koalicionet janë grupe njerëzish ose organizatash që punojnë së bashku për të ndjekur një qëllim të vetëm. Koalicionet shpesh kanë një strukturë më të formalizuar me anëtarët që kanë një angazhim afatgjatë e që ndajnë përgjegjësitë dhe burimet. Qëndrueshmëria e tyre përcakton edhe impaktin që kanë në shoqëri dhe në marrjen e vendimeve. Sa herë që është nevoja, organizatat kërkojnë të bashkohen me një koalicion për të forcuar ndikimin e advokimit të tyre. Nga ana tjetër,  aleancat në përgjithësi përfshijnë marrëdhënie afatshkurtra midis anëtarëve dhe janë të fokusuara në një objektiv specifik. Duke qenë të kufizuara në kohë dhe qëllime, aleancat priren të jenë më pak kërkuese dhe konsumuese për anëtarët. Aleancat janë më pak të përhershme se koalicionet, por ndajnë shpesh të njëjtat qasje dhe përfitime.

Më konkretisht, grupimi dhe bashkëpunimi i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve në aleancë sjell përfitime si:

- Rritje e impaktit të aksioneve të tyre

- Rritja e aksesit tek politikëbërësit dhe zgjerimi i kontakteve

- Rritja e besueshmërisë publike

- Rritja e vizibilitetit dhe përmirësim i imazhit

- Mundësi më të mira për të zgjeruar mbështetjen publike

- Mundësi për të forcuar shoqërinë civile në tërësi

- Organizatat kanë fusha të ndryshme ekspertize dhe plotëzojnë njëra tjetrën, etj.

Edhe koalicionet kanë disa përfitime të dukshme. Ndërtimi i një koalicioni të gjerë rrit shancet për sukses dhe ka ndikim tek vendimmarrësit duke treguar se një aksion ka mbështetje të gjerë sociale për ndryshimin e dëshiruar të politikave. Vendimmarrësit kanë gjithashtu më shumë gjasa t'u kushtojnë vëmendje koalicioneve - dhe aleancave - pasi ato sjellin një zë më të fortë në tryezën e vendimmarrjes. Këto përfitime shtohen edhe më shume në kontekste të vështira, ku nevoja për të shfrytëzuar sa më shumë burimet e pakta njerëzore dhe financiare dhe për të shmangur dyfishimin e përpjekjeve ndërmjet organizatave që punojnë për çështje të ngjashme, është edhe më e madhe. Puna në koalicione gjithashtu ofron një mënyrë të koordinuar për organizatat për të krijuar dhe mbajtur partneritete strategjike me aktorë të jashtëm. Është më e lehtë për një qeveri të lidhet me një koalicion si një partner i vetëm që përfaqëson gamën e aktorëve të shoqërisë civile për një çështje sesa të gjejë se me kë të ndërveprojë nga një mori organizatash, duke harxhuar kohë, energji dhe burime. Në të gjitha këto forma bashkëpunimi, rëndësia e komunikimit është themelore. Mbajtja e rrjedhës së komunikimit dhe përditësimi me informacion është një aspekt thelbësor i punës së aleancave dhe koalicioneve. Këto formate bashkëpunimi të shoqërisë civile kanë një histori të gjatë, por kanë pasur një përhapje të konsiderueshme në dekadat e fundit. Një faktor kyç në shfaqjen e aleancave dhe koalicioneve të gjera gjithmonë, sidomos pas viteve 1990, është evolucioni dramatik i teknologjisë së komunikimit. Bashkëpunimi masiv i mundësuar nga aftësia për t'u dërguar me email të njëjtin mesazh qindra e mijëra njerëzve, ka ndryshuar dinamikën e fushatave të aleancave dhe koalicioneve. E ka bërë më të lehtë për zërat individualë që për një çështje të caktuar të ofrojnë një zë të unifikuar, të qëndrojnë të përditësuar me zhvillimet, të planifikojnë së bashku, të përshtaten dhe të ushtrojnë ndikim maksimal mbi vendimet që merren si në nivel kombëtar, ashtu edhe atë vendor.

Eksperienca dhe mësimet e nxjerra

Eksperienca e shoqërisë civile në Shqipëri me formatet e ndryshme të bashkëpunimit ka qenë e shumëllojshme dhe ka patur luhatje ndër vite. Duke marrë shkas edhe nga përvoja dhe praktikat e mëparshme, LA ka bërë përpjekje domethënëse për të nxitur dhe strukturuar bashkëpunime për qëllime të përbashkëta. Qasja e LA ka qenë favorizimit i krijimit të aleancave dhe bashkëpunimeve në këtë kontekst, duke stimuluar edhe një ndërlidhje sa më organike midis terrenit (grassroot) dhe qendrës (think-tanks). Pavarësisht sfidave dhe vështirësive, kjo qasje ka prodhuar disa rezultate pozitive ndër vite, ku përafërsisht janë mbështetur 36 projekte me bashkëpunime midis aktorëve të ndryshëm, nga 194[1] që është totali i projekteve të zbatuara nga organizata.  Në zbatimin e 36 projekteve me partneritet, janë përfshirë rreth 90 organizata (me veprimtari respective dhe buxhet të përcaktuar). Megjithatë, edhe sfidat nuk kanë munguar. Më konkretisht, niveli i formalizimit të bashkëpunimit dhe procedurat për të vendosur për bashkëpunimet kanë patur perceptime të ndryshme në mesin e organizatave, bazuar në madhësi, mision, si dhe formë organizimi, eksperienca, pritshmëri shumë të ndryshme në lidhje me procedurat, etc. Nga njëra anë, këto standarde janë të nevojshme për të siguruar mbarëvajtje, përqëndrim, e rezultate, megjithatë, nga ana tjetër, mungesa e kapaciteteve dhe e eksperiencës, si dhe koha dhe energjia e nevojshme për aspektet formale, mund të perceptohet shpesh si barrë. Për shembull, aleancat dhe koalicionet që bazohen në aktivistë dhe ekspertë në fusha specifike, nuk duhet të merren si të mirëqena se të gjithë kanë të njëjtin të kuptuar mbi organizimin e punës së përbashkët. Kjo bëhet edhe më e dukshme kur natyra e anëtarëve të aleancës është e ndryshme, siç mund të jenë edhe rastet e nismave për mbrojtjen e mjedisit, ku shumëllojshmëria e aktivistëve shkon nga organizata të mëdha (think-tank) e deri tek aktivistët e thjeshtë në komunitet. Ky element, sjell një sfidë domethënëse nga pikëpamja e ekuilibrit që kërkon mes fleksibilitetit dhe strukturimit të punës me procedura të ngurta dhe rregulla të formalizuara.

Ashtu siç u përmend në seksionin e mëparshëm mbi konceptet teorike dhe eksperiencat e përgjithshme mbi aleancat dhe koalicionet, edhe në rastin e Shqipërisë, bien në sy çështjet e besimit dhe të komunikimit. Ndërsa koalicionet e aleancat krijohen dhe zhvillohen, rezulton se është besimi midis individëve dhe organizatave të përfshira dhe rrjedha e komunikimit që do ta kthejë një grup organizatash në një forcë të fuqishme për ndryshimin e politikave. Besimi mund të zhvillohet nga komunikimi cilësor, veçanërisht nga komunikimi efektiv përballë mosmarrëveshjeve dhe tensioneve. Sfida e veçantë për aleancat dhe koalicionet e shoqërisë civile është se nuk ka rregulla apo praktika fikse lidhur me mënyrën se si këto dinamika duhet të adresohen apo zgjidhen. Tensione të tilla mund të jenë shumë të vlefshme, duke kërkuar një shqyrtim të hollësishëm të pozicioneve të politikave, strategjive dhe mënyrave të punës, por ato gjithashtu mund të krijojnë probleme të mëdha nëse nuk trajtohen në mënyrë efektive. Ato mund të çojnë në mungesë të bashkëpunimit ose në fiktivitet të aleancës, çka do të dobësonte fuqinë vepruese të tyre. Edhe praktika në Shqipëri ka treguar që aleancat janë më të suksesshme nëse kanë një organizim të mirë të komunikimit dhe një besim të ndërsjellë midis tyre.

Një sfidë tjetër që hasin organizatat e shoqërisë civile kur vihen përballë dilemës së aleancës, është edhe frika nga dobësimi i identitetit dhe profilit të organizatës. Pavarësisht vetëdijes se aksionet e përbashkëta rrisin fuqinë e ndikimit tek politikëbërësit, perceptimi i shkrirjes në një bashkësi të madhe e të larmishme rrezikon të ndryshojë imazhin e një organizate të caktuar dhe pozicionimin e saj përkundrejtë një fushe specifike. Në një aleancë ekziston nevoja për të rënë dakord për mesazhe të qarta dhe qëndrim të përbashkët. Për të bërë këtë, është e rëndësishme të shihet qartë ndarja e detyrave si dhe profilizimi dhe ekspertiza e secilit, në mënyrë që të ketë dukshmëri të qartë të secilës organizatë, pa rrezikuar identitetin e tyre, duke kontribuar ndërkohë fuqishëm në kauzën e përbashkët. Mungesa e këtyre elementeve mund të shkaktojë keqkuptime dhe mosmarrëveshje, edhe në kontekstin shqiptar, duke fragmentarizuar aksionin e shoqërisë civile, edhe në raste kur kanë objektiva dhe kauza specifike të përbashkëta.

Një problematikë tjetër e hasur dhe e sjellë në vëmendje nga organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, është se në disa raste aleancat dominohen nga një organizatë e madhe dhe e fortë, e cila "rekruton" të tjerat për qëllimet e veta. Kjo praktikë mund të ulë hapësirën për organizatat e vogla dhe mund të mos kenë shumë zë në marrjen e vendimeve strategjike brenda aleancës, duke pritur më shumë nga organizata lider që ka "know-how" e duke mos zhvilluar kapacitetet e veta. Nga ana tjetër, aleanca dhe koalicionet kanë nevojë për organizim dhe strukturë, që të jenë efikase. Gjithashtu, asocimi me organizata të mëdha dhe marrja pjesë në shumë aktivitete ku nuk do kishin patur akses po të ishin vetëm, mund të sjellë disa përfitime shtesë edhe për organizatat e vogla apo vendore. Sidomos në fushën e mjedisit, bashkimi dhe bashkëpunimi transversal dhe i gjithanshëm bëhet element kyç për rritjen e potencialit ndikues tek politikëbërësit. Në kontekstin e Shqipërisë, një element i rëndësishëm që vihet re në ngritjen e aleancave dhe koalicioneve, është mungesa e theksuar e përfshirjes së botës akademike. Duhet theksuar se në rastin e LA, mospërfshirja e universiteteve si grantmarrës vjen prej shkakut të statusit qe ato kanë (duke mos qenë organizata të shoqërisë civile dhe jo fitimprurëse). Përveç rasteve sporadike apo fushatave të mëdha advokuese, mungon një bashkëpunim sistematik (apo krijimi i aleancave dhe koalicioneve) me këto struktura të rëndësishme të mendimit dhe analizës, të cilat mund të ofrojnë kontribut domethënës në kauza specifike. Ky vëzhgim kërkon një analizë më të thelluar për të kuptuar edhe pengesat e mundshme dhe tiparet përkatëse, por konstatimi i mungesës së universiteteve në aleanca dhe koalicione është një faktor me peshë e që duhet theksuar në diskutimin e gjerë mbi këtë temë.

Nga eksperienca e LevizAlbania me grantdhënien për kauzat e demokracisë vendore është inkurajuar krijimi i aleancave dhe partneriteteve mes organizatave që në vitin 2017, me thirrjen e parë “UPSCALE”[2].  LëvizAlbania ka në synimet e saj të ketë shtrirje të gjërë dhe të mbështesë nisma nga sa më shumë njësi dhe komunitete, sado të veçuara dhe rurale të jenë.  Qasja e pasjes së nismave vendore larg nga Tirana, të ndërmara nga organizata të reja, të vogla, që hyjnë përgjithësisht brenda cilësimit “Grass Root” sjell sjell me vete edhe problematika në kapacitetet zbatuese dhe eksperiencën në menaxhimin e projekteve. Nga ana tjetër, OSHC-të e konsoliduara që veprojnë kryesisht në kryeqytet dhe qytetet e mëdha, e gjejnë të vështirë penetrimin në zonat rurale dhe të izoluara jo vetëm për shkak të largësisë fizike, por edhe nga mosnjohja e problematikave dhe veçorive të komuniteteve.

Si përgjigje ndaj këtyre dy çështjeve, të vëzhguar në zbatim, LevizAlbania ka rikonceptuar kriteret e përzgjedhjes së granteve,  nga njëra anë duke kushtëzuar - në fazën e dytë - dhënien e granteve për organizata të bazuara në nivel lokal (partneri lider i zbatimit të projektit të jetë veprues në një nga Bashkitë e Qarkut ku do të zhvillohen aktivitetet e projektit të propozuar) dhe nga ana tjetër duke i dhënë përparësi partneritetit mes organizatave lokale (grass root) dhe organizatave më të konsoliduara. Mbajtja e kontaktit në vijimësi me LevizAlbania dhe pjesëmarrja e vazhdueshme në veprimtari trajnuese, këshilluese dhe udhëheqëse të LevizAlbania ka krijuar mjedisin dhe rrethanat e përshtatshme për këto organizata vendore që të rrisin kapacitet e tyre, duke pasur gjithashtu edhe një urë kontakti me një organizatë me eksperiencë.

Analiza e rasteve të evidentuara si më pak të suksesëshme ka treguar se një ndër aspektet e vëshguara si më domethënëse në mos arritjen e rezultateve është mungesa e natyrshmërisë së mardhënies së vendosur. Pavarësisht pasjes së një natyre afatshkurtër dhe me angazhim në zbatimin e vetëm një nisme të përbashkët, faktorë të tillë si profilizimi i ndryshëm i fushave të veprimtarisë, ndryshimet e mëdha në eksperiencë ose bërja pjesë në mënyrë të sforcuar në një partneritet kanë pasur ndikim domethënës në arritjen e objektivave të përbashkëta.

Përfundime dhe rekomandimet për të ardhmen

Stimulimi i organizimit të aktorëve të shoqërisë civile dhe bashkëpunimit të tyre rreth kauzave të përbashkëta paraqet disa avantazhe, por ngre edhe disa pikëpyetje.  Në radhë të parë, komuniteti i donatorëve duhet të ketë parasysh sidomos vendosjen e barazpeshës mes kërkesës dhe ofertës. Qasja e tepruar top-down (p.sh. imponimi i bashkëpunimit midis organizatave që nuk kanë eksperiencë bashkëpunimi) duhet të moderohet, duke u përkujdesur që të përfshihen disa kritere shtesë që ndihmojnë në ndërtimin sa më organik të një aleance apo koalicioni. Përndryshe rrezikojmë të kemi rezultatin klasik të "box-ticking", me një përfshirje jo të integruar të të gjithë anëtarëve të aleancës dhe me një objektiv të papërmbushur plotësisht. Nga ana tjetër, kjo praktikë nuk mund të lihet vetëm në dorë të "frymëzimit" nga poshtë (bottom-up), duke qenë se shoqëria shqiptare reflekton ende probleme strukturore nga e shkuara për sa i përket angazhimit dhe aktivizmit shoqëror. Pra, qasja stimuluese dhe ngritje e fuqizimi i kapaciteteve për organizatat me karakter vendor, duhet forcuar dhe orientuar drejt bashkëpunimit.

Fokusi dhe orientimi i aleancave duhet të jetë tek impakti, pra ndikimi që ato kanë në kauzën apo objektivin final. Theksohet kjo sepse ndodh që qasja vendore ndaj mbështetjes së projekteve barazpeshon misionin e organizatës me vendndodhjen, duke favorizuar ndonjëherë të dytën, për të rritur autorësinë e ndërhyrjes. Së pari, siç u theksua më lart, autorësia jo patjetër mbetet tek partnerët vendorë, pasi kjo lidhet shumë me formatin si është ndërtuar aleanca dhe si është strukturuar bashkëpunimi. Së dyti, misioni i një organizate mund të jetë karburant shumë më i dobishëm se sa përkatësia gjeografike. Për këtë arsye, në ndërtimin e aleancave dhe koalicioneve në të ardhmen, duhet patur parasysh një barazpeshë midis këtyre komponentëve, për të mos përjashtuar nga bashkëpunimet kontribues të mundshëm, duke favorizuar organizata vendore por me eksperiencë dhe impakt të ulët.

Një element tjetër në ndërtimin e aleancave, sidomos në fushën e mbrojtjes së mjedisit, është edhe angazhimi dhe përfshirja e komuniteteve të prekura në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sugjerohet që kudo që është e mundur, aleancat apo koalicionet të drejtohen pikërisht nga përfaqësues të këtyre komuniteteve dhe jo nga organizata të tjera. Kjo qasje rrit potencialin e aleancës për të zgjeruar përfshirjen, duke krijuar më shumë besim dhe njohje edhe nga komunitete të tjera. Edhe pse, siç u tha më lart, nuk ka receta standarde për formatet e bashkëpunimit, ka disa kritere që janë të domosdoshëm. Një koordinim i mirë është kyç në çdo formë bashkëpunimi. Aksione apo mesazhe të formuluara qartë e te bazuara në vlerat dhe interesat e përbashkëta, duhet të jenë të koordinuara saktë, sidomos në raport me aktorët politikëbërës apo të jashtëm. Kjo lidhet ngushtë edhe me rëndësinë e komunikimit për të cilën është folur në këtë artikull.

Gjithëpërfshirja (nga terreni e deri tek bota akademike), dëgjimi i zërave të anëtarëve të aleancës, nxitja e ndjenjës së përkatësisë dhe promovimi i ndjeshmërive të gjithësecilit duhet gjithashtu të jenë në termat e ngritjes së një aleance të suksesshme. Qasja praktike e parashtrimit të objektivave duke kërkuar që të tjerët ta ndjekin, pa diskutuar me anëtarët, mund të rezultojë në dështim apo dobësim të aksionit të përbashkët, duke vënë në diskutim edhe besueshmërinë. Për këtë, aleancat duhet të kujdesen edhe për të përfshirë drejtëpërdrejtë anëtarët në veprimtaritë dhe punët e përbashkëta, duke ndarë detyrat dhe duke përdorur aftësitë e secilit në dobi të objektivit. Kjo qasje rrit edhe besimin, i cili nuk duhet nënvlerësuar për rëndësinë që ka në këto lloje bashkëpunimesh. Sidomos kur organizatat apo individët kanë punuar ngushtë me njëri tjetrin edhe në kauza të mëparshme, ata duhet të vihen në qendër të koordinimit dhe organizimit të punës së përbashkët, për shkak të besimit që kanë krijuar.

Rreth LevizAlbania

LevizAlbania është projekti i Demokracisë Lokale i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i zbatuar nga një konsorcium i (i) Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), (ii) Partnerëve Shqipëri dhe (iii) Co-Plan. Që nga viti 2015, LA ka kontribuar në rritjen e demokracisë lokale, përmes granteve për Organizatat Jofitimprurëse (OJF), grupet informale dhe individëve, duke mbështetur kërkesën e tyre për qeverisje vendore transparente dhe të përgjegjshme dhe shërbime publike efikase. Projekti mbështet ndërtimin e koalicioneve për të nxitur ndryshime strukturore dhe sistematike në nivel lokal dhe kombëtar dhe për të promovuar praktikat pozitive në mbështetje të demokracisë lokale.

Sistemi i Menaxhimit të Njohurive dhe Platforma e Angazhimit Qytetar

Platforma për Menaxhimin e Njohurive dhe Angazhimin Qytetar të Lëviz Albania ka si qëllim mbledhjen, strukturimin dhe kapitalizimin e gjithë kontributit dhe arritjeve të LA në 6 vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, ky ushtrim shqyrton sfidat me të cilat përballet Lëviz Albania në arritjen e objektivave të saj, por edhe sfidat e grantmarrësve dhe kontekstin më të gjerë të demokracisë lokale. Menaxhimi i njohurive analizon proceset e brendshme dhe të jashtme të LA si dhe koncepton ngritjen e mekanizmave bazuar në nevojat e identifikuara. Kjo qasje e zgjedhur synon të përmirësojë efektivitetin e projekteve të reja dhe do të rrënjos një kulturë të përdorimit sistematik dhe të strukturuar të njohurive të marra, duke përdorur instrumentet dhe mekanizmat (platformën) e ngritura. Sistemi i Menaxhimit të Njohurisë dhe Platforma e Angazhimit Qytetar kontribuon në rritjen e efektivitetit të ndërhyrjeve dhe mundëson një analizë të thellë dhe pasqyrë të sfidave për mbështetjen e demokracisë lokale dhe angazhimit qytetar. Ekspertët e angazhuar për këtë nga LevizAlbania (renditje alfabetike): Blerjana Bino dhe Gentian Elezi.

 

[1] LevizAlbania prej vitit 2016 ka mbështetur 300 projekte, nga të cilat 194 projekte janë zbatuar nga organizata të shoqërisë civile (OJF) dhe xx nga individë dhe grupe informale

[2]   Një nga drejtimet e thirrjes nr. 4 për grante iniciuar nga LevizAlbania ku u synua krijimi i “Vijueshmërisë”. Kjo thirrje ju drejtua të gjithë grantmarrësve të LevizAlbania, të cilët ishin mbështetur në thirrjet e mëparshme për aplikime 1, 2 dhe 3. Qëllimi i drejtimit për vijueshmërinë kishte në themel të tij objektivin për të mbështetur projekte të cilat kanë qenë të suksesshme në ndërhyrjet e tyre dhe kanë dhënë rezultate konkrete në forcimin e demokracisë vendore, rritjen e transparencës, llogaridhënies, pjesëmarrjes, përfshirjes në vendimmarrjet vendore.

Pazari i Ri, Pallati Nr. 74, Kati 2, Tiranë

+355 44 500 153