Riciklimi i materialeve plastike përpara se të kthehen në mbetje është një proces që do të ndikonte në uljen e ndotjes së mjedisit. Aktorët kontributor në zinxhirin e impaktit pozitiv që sjell kjo qasje janë disa, nga qytetarët, biznesi privat, sipërmarrjet e angazhuara në procesin e riciklimit si dhe autoritetet vendore.
Organizata “Destination Managment Organization“ në partneritet me Young Shapers of Albania po zbatojnëë projektin “Riciklimi i plastikës para se të kthehet në mbetje“. Nisma e mbështetur nga LevizAlbania, projektit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, synon pikërisht krijimin e një modeli të qendrueshëm riciklimi për mbetjet plastike, duke integruar dhe fuqizuar grupet e interesit që punojnë në fushën e riciklimit të plastikës.
Në kuadër të kësaj nisme, pak ditë më parë, përfaqësuesit e organizatës “Destination Managment Organization“ nënshkruan me Kryetarin e Bashkisë së Korcës, Z. Sotiraq Filo marrëveshjen e bashkëpunimit, në kuadër të së cilës Bashkia Korcë angazhohet për përfshirjen në veprimtarinë e saj të politikave mbështetëse për krijimin dhe integrimin e modelit të riciklimit të plastikës përpara se të kthehet në mbetje në territorin e saj.
LevizAlbania ka mbështetur përgjatë thirrjve për aplikime dhe instrumentave të tjerë grantdhënës nisma që nxisin mbrojtjen e mjedisit, nga menaxhimi i grumbullimit të mbetjeve e deri tek idetë inovatore për riciklimin e plastikës duke e kthyer atë në produkte që stimulojnë uljen e përdorimit të saj.
#LevizAlbania #DedikuarDemokracisëVendore