1. Hyrje
Demokracia është një nga konceptet më të respektuara në fjalorin politik. E sërish ka shumë përkufizime të ndryshme të demokracisë. Në fakt, ashtu siç theksohet edhe nga Rezoluta e Kombeve të Bashkuara mbi Mbështetjen nga sistemi i Kombeve të Bashkuara i përpjekjeve të Qeverive për të nxitur dhe forcuar demokracitë e reja apo për rivendosjen e demokracive, ndërkohë që demokracitë ndajnë veti të njëjta, nuk ka një model të vetëm demokracie.[1] Njerëzit shpesh flasin rreth vendeve “që bëhen” demokraci, kur ato fillojnë të zhvillojnë zgjedhje relativisht të lira e të hapura. Por demokracia përfshin shumë më tepër se sa thjeshtë zgjedhje, ndaj ka vërtetë më shumë kuptim të mendojmë për idenë e vullnetit të popullit, se sa për strukturat institucionale e ato të votimeve. Pjesëmarrja çdo katër vjet në zgjedhje edhe nëse këto janë të lira dhe të ndershme, nuk mund ta bëj një sistem me të vërtetë demokratik. Demokracia kërkon më tepër, përfshirë edhe nevojën për t’u informuar mbi vendimet dhe veprimet e ndërmarra nga qeveria dhe dhënia zë e mendimeve përmes të gjitha mjeteve të mundshme, si media, grupet e shoqërisë civile, etj.
Në këtë këndvështrim, qeverisja e mirë vendore është një nga elementët thelbësorë të një sistemi demokratik. Politikëbërja vendore dhe dhënia e shërbimeve hartohen, planifikohen dhe zbatohen më afër qytetarëve. Ky tipar nxit efektivitetin, duke lejuar që shërbimet të përafrohen më tepër me pëlqyeshmëritë vendore dhe mundëson përfshirjen e drejtëpërdrejtë të qytetarëve për të ndikuar në vendimet politike vendore dhe për të nisur veprime qytetare.
Në këtë rast studimor merren parasysh parimet më të rëndësishme të demokracisë, si: transparenca dhe sundimi i ligjit, llogaridhënia dhe pjesëmarrja, efektiviteti dhe efiçienca, llogaridhënia dhe angazhimi e pjesëmarrja qytetare. Është qartësisht e kuptueshme se, përmirësimi i qasjes në të dhëna forcon jo vetëm transparencën dhe llogaridhënien, por edhe veprimet dhe angazhimin e përbashkët qytetar. Veprimi i përbashkët dhe angazhimi publik ndikon për një vendimmarrje në përputhje me interesat e qytetarëve, si dhe rrit kapitalin social, konsensusin dhe legjitimitetin e vendimmarjes. Llogaridhënia forcon sundimin e ligjit e si rrjedhojë edhe qeverisjen e drejtë. Përfshirja e qytetarëve, sektorit privat dhe bashkësisë së organizatave jo qeveritare në proceset vendore vendimmarrëse, si dhe zotërimi i mekanizmave të llogaridhënies është parakusht për një demokraci vendore funksionale.
Mjedisi mundësues civil kushtëzon veprimet e përbashkëta të qytetarëve, përmes organizatave të shoqërisë civile. Siç theksohet nga Këshilli i Bashkimit Europian në përfundimet e tij të dhjetorit 2022 mbi zgjerimin dhe procesin e stabilizimit dhe asocimit, dispozitat ligjore që mundësojnë organizatat e shoqërisë civile për të vepruar të lira dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qenësishme, mbeten shumë të rëndësishme. Përparimi në këtë fushë është i lidhur edhe me ecurinë efektive të reformave në fusha të tjera thelbësore, veçanërisht në atë të sundimit të ligjit. Ndaj, ky mjedis mundësues, gjithmonë e më shumë shihet si kyç për vlerësimin e shëndetit të shoqërisë civile dhe mundësive që ajo ka. Ky rast studimor do të hedhë dritë mbi efiçencën e ndërhyrjes së LevizAlbania për të krijuar, mbështetur dhe mbajtur një mjedis civil mundësues për demokracinë vendore, përmes shembujve të tillë si lehtësimi i pjesëmarrjes publike, përmirësimi i shërbimeve publike, forcimi i komuniteteve dhe përmirësimi i produkteve të zhvillimit.
2. Konteksti i projektit LevizAlbania
Projekti LevizAlbania mbështetet në një të kuptuar (përkufizim) të demokracisë që shkon përtej demokracisë zgjedhore apo përfaqësuese. LevizAlbania duket se lëviz bindshëm në qasjen e vet drejt një forme demokracie më vendimmarrëse, e cila kërkon vazhdimisht pjesëmarrjen e qytetarëve përmes kërkimit të informacionit, dhënies së ideve, nxitjes së debatit dhe thirrjes për më shumë llogaridhënie nga përfaqësuesit e zgjedhur.
Qasja e LevizAlbania ka pasur në vëmendje rezultatet e reformës së decentralizimit dhe kompetencat e reja të njësive të qeverisjes vendore. Pas reformës së decentralizimit, numri i njësive të qeverisjes vendore u zvogëlua ndjeshëm. Kompetencat e njësive të qeverisjes vendore si dhe shërbimet e tyre për qytetarët u zgjeruan. Gjithashtu, financimi dhe kapacitetet e tyre u forcuan, në mënyrë që të përmbushin detyrat dhe të japin përgjigje për kërkesat që vijnë nga qytetarët. Ndaj, rëndësia e tyre për qytetarët është rritur ndjeshëm.
Për këtë qëllim, LA ka punuar për forcimin e demokracisë vendore, përmes kultivimit të një shoqërie civile ndikuese, të lidhur me territorin dhe që ngre kërkesa në nivel vendor, në të gjithë Shqipërinë. Në të njëjtën kohë, ka ndërmarrë projekte strategjike dhe advokim në nivel kombëtar për të mundësuar mjedisin civil për një demokraci vendore më të mirë e më të qëndrueshme.
Ndërsa shumica e projekteve të tjera janë përqendruar tek forcimi i kapaciteteve të qeverisjes vendore, LA u përqendrua në forcimin e aktorëve të shoqërisë civile në territor, duke iu dhënë mjetet e nevojshme për të ndikuar demokracinë vendore, përmes një qasje nga poshtë lart. Në këndvështrimin e LA, këta aktorë civilë duhet të ishin të pavarur nga partitë politike dhe të ofronin një kanal tjetër për pjesëmarrje dhe ndikim në proceset politike dhe në vendimmarrje.
Projektet e zbatuara përfaqësuan një kombinim të veprimeve të përbashkëta në nivel vendor, që përqendrohet në interesa dhe shqetësime të rëndësishme: nga një pjesëmarrje e rritur e publikut në vendimmarrjen vendore, tek nxitja e pjesëmarrjes së të rinjve; nga advokimi tek rritja e transparencës; nga monitorimi i premtimeve zgjedhore tek peticionet dhe ndërhyrjet që lidhen me mjedisin. LA ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në diskutimet për kuadrin e ri ligjor, duke theksuar rëndësinë e konsultimeve me grupet e interesit në përgatitjen e akteve kryesore ligjore, për forcimin e të drejtave të qytetarëve për të ndikuar proceset vendimmarrëse në nivel vendor. LA forcoi mjedisin civil mundësues për të adresuar çështje strukturore, që bëhen pengesë për demokracinë vendore.
LA ka kontribuar në fuqizimin e qytetarëve për veprime të përbashkëta, për të kërkuar dhe forcuar transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes vendore në përputhje me programin e transparencës dhe ligjin për të drejtën e informimit, për vendosjen e mekanizmave funksionalë të pjesëmarrjes, përmirësimin e shërbimeve publike për komunitetet, përfshirjen sociale të grupeve të ndjeshme, rritjen e vullnetarizmit dhe aktivizmit mes të rinjëve, si dhe nxitjen e krijimin e debatit publik dhe protestave për çështje me rëndësi për publikun e gjerë.
Rasti studimor përqendrohet në dy grupe politikash:
Grupi A: Përmirësimi i zbatimit të dy sektorëve ligjorë që janë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin:
- Kuadri ligjor për qeverisjen vendore;
- Informacioni dhe Konsultimi Publik.
Grupi B: Ndikimi i dialogut rreth proceseve legjislative për ndryshime sistemike/strukturore në favor të demokracisë vendore dhe angazhimit qytetar.
Të dyja grupet përgjithësohen në formën e rasteve studimore, duke i analizuar në aspektet e qasjeve advokuese dhe ndikimit.
3. Grupi A: Procesi për zbatimin më të mirë të kuadrit ligjor vendor dhe roli i LA
3.1 Vështrim i shkurtër i projektit dhe arritjet e ndikimi në politikbërje
Analiza do të përfshijë çështje të tilla si: çfarë ndodhi kur, kush ishte i përfshirë, kush krijoi partneritet me kë dhe si. Do të jetë e mundur të shihen qartë ndërhyrjet që krijuan një mjedis të përshtatshëm e mundësues për shoqërinë civile.
3.1.1 “Metamorfoza e Lumit Ishëm” ishte një projekt i zbatuar nga ENFORCE Albania, që bëri bashkë 25 të rinj nga Kamza, me qëllime të qarta dhe me vendosmëri të madhe për të sjellë ndryshime pozitive në mjedis, kulturë, ekonomi dhe shëndetin publik. Një nga aksionet më të rëndësishme të ndërmarra prej tyre ishte drejtuar në Lumin Ishëm, në perëndim të vendit, një lum që rrjedh në një zonë në veri të kryeqytetit shqiptar, Tiranë. Ai është një prej lumenjve më të ndotur në Europë nga mbetjet plastike, që përfundojnë në det. Grupi identifikoi disa venddepozitime të paligjshme përgjatë rrjedhës së lumit, duke ngritur çështjen e mostrajtimit të tyre apo edhe të mos diskutimit të problemit nga komuniteti. Me qartësinë se një zgjidhje e qendrueshme kërkonte domodsoshmërisht rritjen e ndërgjegjësimit dhe mobilizimin e komunitetit lokal, ENFORCE Albania përfshiu të rinj vullnetarë, që duke trokitur derë më derë, folën me banorët duke i ndërgjegjësuar për problematikën. Mbi 200 persona u angazhuan si pjesë e kësaj nisme që përfshiu banorë, aktivistë, të rinj, grupe të marzhinalizuara si dhe institucione vendore, për të vendosur një praktikë të mirë për një çështje të përbashkët.
Arritjet e projektit:
- Trainim mbi edukimin mjedisor me 47 studentë në Laknas dhe Kamëz;
- Dy aksione pastrimi në zonat e shënjestruara;
- Identifikimi dhe hartëzimi i njëmbëdhjetë venddepozitimeve të paligjshme;
- Pastrimi i tre venddepozitimeve.
3.1.2 “Bashkitë Tiranë, Kamëz dhe Vorë zbatojnë ligjin për vetqeverisjen vendore”. INFOÇIP një OJF e njohur, hartoi dhe pilotoi një matricë monitorimi për vlerësimin dhe matjen e transparencës në proceset vendimmarrëse të këshillave vendorë në tre bashkitë e Qarkut Tiranë (Tirana, Kamza dhe Vora), lidhur me zbatimin e ligjit “Për vetqeverisjen vendore”. Matrica e monitorimit është një mekanizëm që filtron në tregues të matshëm, dispozitat ligjore të Ligjit 139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”, Ligjin 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe Ligjin 146/2014 “Për konsultimin publik”, duke mundësuar matjen e nivelit të konsultimit, votimit, njoftimeve dhe publikimit të vendimeve të këshillit vendor në tre bashkitë, si dhe një analizë krahasuese dhe renditje e arritjeve në kohë. Përmes presionit të vazhdueshëm kundrejtë këshillave vendor të shënjestruar, projekti ndërtoi një bazë referuese mbi zbatimin e ligjit në fillim të projektit, moment në të cilin të tria bashkitë u renditën mjaft ulët. Në përfundim të projektit, të tria bashkitë përmirësuan ndjeshëm zbatimin e ligjit, duke rritur transparencën në vendimmarrjen e këshillit bashkiak dhe duke rritur ndërveprimin me qytetarët. Ata botuan vendimet e tyre në bazën e të dhënave kombëtare https://www.vendime.al/ si dhe në faqet e tyre zyrtare, ku ndërtuan kategorinë “Transparenca”, duke caktuar Koordinatorin për Transparencën si personi kyç për zbatimin e ligjit. Bashkitë e synuara përmirësuan së tepërmi treguesin e nivelit të transparencës për vendimet e këshillit bashkiak. INFOCIP ofroi të dhëna të rëndësishme për funksionimin e këshillave bashkiakë të Bashkive Tiranë, Vorë dhe Kamëz.
Arritjet e projektit:
- Zbatim më i mirë i Ligjit “Për vetqeverisjen vendore”, duke rritur transparencën në vendimmarrjen e Këshillave Bashkiakë;
- Rritje e ndërveprimit me qytetarët;
- Krijimi i bazës së të dhënave vendime.al dhe botimi i vendimeve;
- Caktimi i Koordinatorit të Transparencës.
3.1.3 Një grup qytetarësh të angazhuar u organizuan si grup komunitar dhe morën nismën për të filluar një fushatë nën sloganin "Zëri Juaj: Lagjja ime, administrator i pallatit tim", një fushatë jo vetëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e rolit të administratorit të ndërtesës, por gjithashtu edhe për zgjidhjen e pengesave administrative e institucionale që mbajnë peng zbatimin e ligjit në Vlorë. Një fushatë e gjerë ndërgjegjësimi u zhvillua për të sjellë në vëmendje çështjen e adresimit të boshllëkut lidhur me administratorin e pallateve dhe veçanërisht angazhimin e shoqërisë civile në Vlorë. Kjo nismë ka dhënë dritën e gjelbër për përmirësimin e ndjeshëm të situatës në terren.
Arritjet e projektit:
- Ngritja e "Task force" në Bashkinë Vlorë;
- Nënshkrimi i marrëveshjes për hapjen e kurseve për administrator me Qendrën e Formimit Profesional në Vlorë;
- Hapja e Kursit për formimin profesional për administratorët e ndërtesave të banimit;
- Regjistrimi i 10 aplikimeve për kurse trajnimi.
3.1.4 “Plepat e Brukes”, Laknas
Në shkurt 2020, Klinika e Ligjit filloi ndjekjen në gjykatë të çështjes së ngritur nga 40 banorë të Kamzës kundër projektit të një biznesi, i cili do të dëmtonte tërësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme një pyll publik. Pylli ishte mbjellë nga banorët në 50 vitet e fundit. Së bashku me veprimtarët lokalë, Klinika e Ligjit ndërmori një nsimë ligjore dhe qytetare për të ndryshuar kategorizimin e kësaj toke në regjistrin kadastral nga zallishte në pyll. Klinika e Ligjit u takua me Kryebashkiakun e Kamzës, duke i kërkuar të mos rinovonte lejen e ndërtimit të kompanisë private. Klinika e Ligjit ndoqi procesin gjyqësor në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, në Gjykatën Administrative të Apelit dhe në Gjykatën e Lartë. Në 9 Nëntor 2021, Gjykata e Lartë vendosi lënien në fuqi të masave të ndërmjetme të caktuara nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, e cila kishte vendosur pezullimin e ndërtimit të thertores.
Arritjet e projektit:
- Pezullimi i ndërtimit të thertores;
- Mbrojtja e zonës pyjore.
3.1.5 “Projektet e Hidrocentraleve (HEC) Sekë dhe Zais në Zall Gjoçaj, Mat” Dy HEC po ndërtoheshin në Lumin Mat, në shkelje të legjislacionit mjedisor dhe akteve të tjera ligjore. Shkeljet kryesre lidheshin me faktin se një pjesë e madhe e projektit ishte zhvilluar pa u konsultuar banorët e zonës, brenda një zone të mbrojtur, si Parku Kombëtar “Dea Lurë”. Ndihma ligjore u kërkua nga banorët e fshatrave të afërt. Klinika e Ligjit nisi një aksion qytetar, duke kërkuar një vendim gjyqësor për pezullimin e punimeve të ndërtimit. Në janar 2021, Gjykata Administrative e Tiranës anulloi vendimin që licenconte kompaninë për ndërtimin e hidrocentralit në zonën e mbrojtur. Në nëntor 2021, Gjykata Administrative e Apelit vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë për ndalimin e ndërtimit të Hidrocentralit në Zais. Në mars 2022, Gjykata e Lartë vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe të Gjykatës Administrative të Apelit. Në 24 nëntor 2022, Gjykata e Lartë vendosi lënien në fuqi të vendimeve të mëparshme, duke revokuar licencën e kompanisë koncesionare për prodhimin e energjisë për HEC Zajs, në Zall Gjocaj.
Arritjet e projektit:
- Pezullimi i ndërtimit të hidrocentralit në zonë të mbrojtur;
- Mbrojtja e mjedisit.
4. Grupi B: Procesi i ndikimit ndjeshëm të dialogut rreth proceseve legjislative për ndryshime strukturore/sistemike që favorizojnë demokracinë vendore dhe angazhimin qytetar.
4.1 Vështrim i shkurtër i projektit dhe arritjet e ndikimit në politika
Analiza do të përfshijë çështje të tilla si: çfarë ndodhi, kur, kush ishte i përfshirë, kush krijoi partneritet, me kë dhe si. Do të jetë e mundur të shihet qartë ndërhyrjet që krijuan një mjedis të përshtatshëm e mundësues për shoqërinë civile.
Aktorët e shoqërisë civile të mbështetur nga LevizAlbania kanë dhënë rezultate konkrete dhe kanë ndikuar ndjeshëm dialogun rreth proceseve legjislative për ndryshime sistemike/strukturore në dobi të demokracisë vendore dhe angazhimit qytetar përmes bashkëpunimit horizontal, siç përshkruhet në rastet e mëposhtme:
4.1.1 “Advokim dhe lobim për ndryshime në Ligjin 45/2016 “Mbi vullnetarizmin” për të vendosur standarte kombëtare për kontributet e vullnetarëve.
Sektori i vullnetarizmit ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme në kuptim të aspekteve ligjore dhe karakterit social. “Vullnetarizmi.Al” është një projekt që synoi përmirësimin e infrastrukturës aktuale ligjore e sociale përmes ndërhyrjeve sistemike nga poshtë lart, si dhe për krijimin e një mjedisi mundësues shumëplanësh, ku vullnetarizmi nxitet, mbështetet, njihet, si një mekanizëm kyç për nxitjen e qytetarisë aktive, solidaritetit dhe kohezionit social në Shqipëri. Projekti u zbatua nga një koalicion prej tre organizatash, mbështetur në tre shtylla kryesore:
- Propozime konkrete për përmirësimin e ligjit aktual për vullnetarizmin në terma të koncepteve gjithëpërfshirëse, por edhe për të ndrequr kufizimet që ky ligj paraqet për ofruesit e vullnetarizmit;
- Mbledhja dhe analiza e të dhënave në nivel kombëtar me element thelbësorë që shoqërojnë konceptin e vullnetarizmit si dhe vendosjen e bashkëpunimit ndërsektorial;
- Krijimin e strukturave të qendrueshme me standarte cilësie për menaxhimin e punës vullnetare dhe për sjelljen e një qasjeje inovative përmes fuqizimit të vullnetarizmit, përmes platformës dixhitale që nxit diskutimin dhe debatin e hapur për të gjitha palët e interesuara.
U zhvillua një studim kombëtar për vullnetarizmin në Shqipëri, si dhe një sërë takimesh me aktorë të ndryshëm në nivel qendror e ndërkombëtar.
Paralelisht pati një bashkëpunim të ngushtë me median dhe gazetarët, për të theksuar më shumë çështjet e vullnetarizmit dhe për të mbështetur këtë çështje. Si rrjedhojë e fushatës së lobimit dhe takimeve të mbajtura në sajë të projektit, me nismën e Ministrit të Shtetit për të Rinjtë dhe Fëmijët, në 21 Janar 2021, Komisioni Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, zhvilloi një takim në formën e dëgjesës, lidhur me zbatimin e ligjit “Për vullnetarizmin”. Aktualisht ka nisur puna për ndryshimin e Ligjit 45/2016 mbi vullnetarizmin, duke përfshirë edhe rekomandimet konkrete të dhëna nga projekti.
Arritjet e projektit:
- Krijimi i platformës së parë kombëtare dixhitale vullnetarizmi.al
- Dëgjesë e Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë;
- Rekomandime për hartimin e ndryshimeve në Ligjin “Për vullnetarizmin”
4.1.2 “Nisma ligjore qytetare për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të lejuar listat e hapura për zgjedhjen e Këshillave Bashkiakë” është një nismë e ndërmarrë nga Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit Zgjedhor. Pas një analize të hollësishme të mendimeve dhe perceptimeve të qytetarëve, u arrit në përfundimin se vërehen shmangie të rëndësishme nga parimet e proporcionalitetit në përfaqësim. Situata aktuale mbart rrezikun e dëmtimit të cilësisë së shërbimeve për qytetarët, që duhet të ofrohen nga autoritetet dhe trupat e vetqeverisjes vendore.
Rreth 74.4% e qytetarëve që jetojnë në zonat rurale dhe gjysmëurbane dhe rreth 46.3% qytetarëve të intervistuar që jetojnë në qytet, janë shprehur se nuk janë ndjerë të përfaqësuar në Këshillin Bashkiak.
Mbështetur në mendimet dhe propizimet e mbledhura përmes një konsultimi të gjerë me publikun, alenca qytetare hartoi një seri propozimesh për ndryshime të mundshme në Kodin zgjedhor, të cilat synojnë në mënyrën më të mire të mundshme, të rrisin përfaqësimin cilësor të qytetarëve në trupat e zgjedhura për vetqeverisjen vendore.
Bazuar në të drejtën e dhënë nga Kushtetuta, sipas së cilës 20,000 qytetarë me të drejtë vote kanë të drejtën legjislative për të paraqitur një projektligj në Kuvendin e Shqipërisë, Aleanca Qytetare filloi procesin për realizimin e kësaj nisme.
Arritjet e projektit:
- Hartimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor;
- Nisja e procesit për paraqitjen e projektligjit.
5. Ndikimi në politika i LevizAlbania
Ndihma e dhënë nga LA ka luajtur një rol të rëndësishëm në adresimin e çështjeve të demokracisë vendore dhe në mundësimin e një mjedisi aktiv për shoqërinë civile dhe komunitetet vendore. Programi ka pasur ndikim të ndjeshëm në rritjen e presionit publik, përmes nxitjes për përgjegjshmëri përkundrejt të drejtave të qytetarëve dhe nxitjes së demokracisë vendore.
Është me vlerë të theksohen një seri vërejtjesh të përgjithshme. Së pari, analiza e projekteve të zbatuara me mbështetjen e LA tregon se LA ka ndjekur më së shumti një koncept që mund të etiketohet si “mendo në shkallë kombëtare dhe vepro në shkallë vendore”.
Kjo qasje duhet vlerësuar dhe duhet nxitur në vende si Shqipëria. BTI, në raportin e tij të fundit Indeksi i Transformimit për 2022[19] arrin në përfundimin se në Shqipëri, format e para moderne të kapitalit social, të bazuara në lidhjet e gjakut, familjes, apo fisit, përfshirë marrëdhëniet e kujdesit, kanë ndihmuar për të mbajtur rrjete jo formale të mbështetjes, në kontekstin e një tranzicioni të vështirë dhe të pamjaftueshmërisë së mirëqenies sociale. Nga ana tjetër, këto forma tradicionale të solidaritetit kanë dëmtuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe besimin në institucionet shtetërore.
Ndaj, qasja nga poshtë-lart e hartuar nga LA dhe zgjedhja e projekteve kanë qenë shumë të përshtatshme për të tejkaluar këtë problematikë në shoqërinë shqiptare. Projektet janë nisur nga anëtarë të komunitetit apo OJF me lidhje të ngushta me komunitetin e përfshirë në projekt. Për më tepër, projektet kanë qenë të përqendruara në çështje apo probleme mjaft të ndjeshme për komunitetin. Së fundmi, këto kanë qenë projekte relativisht të vogla, që përgjithësisht kanë sjellë ndryshim dhe kanë arritur sukses në periudha të shkurtra kohore. Për shkak të këtyre tipareve, projektet përgjithësisht u përqafuan lehtë nga komunitetet, krahasuar me projektet e mëdha që zbatohen nga kryeqyteti dhe që ndjekin një qasje nga lartë poshtë. Ky kapital social vendor mund të përdoret në të ardhmen për të krijuar dhe ndërtuar më tej kapitalin social në nivel kombëtar.
Së dyti, mbështetja e LA u përqendrua kryesisht në OJF të pavarura lokale. Këto OJF përbëjnë shoqërinë civile të mirëfilltë, që vepron në mënyrë të pavarur nga partitë politike, duke sjellë një kontroll të ndershëm e të paanshëm të pushtetit. Mbështetja e LA duket të jetë drejtuar tek OJF të grupit të tretë, duke mbështetur veprimtarinë dhe vetë ekzistencën e tyre. Më tej, projektet e përzgjedhura synonin të mirën e përbashkët të komuniteteve pavarësisht forcave politike që kontrollonin qeverisjen vendore. Të gjitha këto rritën mundësitë për sukses, duke tërhequr edhe mbështetjen nga krahu i komuniteteve vendore.
Së treti, qasja dhe roli i LA nuk duhet të vlerësohet vetëm duke u mbështetur në rezultatet e projekteve në raport me objektivat e tyre. Në një kuptim më të gjerë, projektet e mbështetura nga LA kanë shërbyer si shkolla të vërteta për veprime të përbashkëta dhe angazhim qytetar për të gjithë nismëtarët, koordinatorët dhe grupet monitoruese, për çdo person që ka qenë pjesëmarrës në projekt dhe së fundmi për të gjithë komunitetin. Aftësia për të gjetur e njohur problematika, për të formuluar qëllime, për të krijuar angazhim, etj., do t’u shërbejë së tepërmi këtyre individëve dhe OJF-ve në veprimtaritë e tyre të ardhshme, pavarësisht nëse këto veprimtari do të jenë pjesë e projekteve të mbështetura nga donatorët.
Së katërti, vetëvlerësimi i LA dhe projekteve që ka mbështetur, kanë ndihmuar në analizimin e sukseseve të projekteve, vështirësive dhe pengesave që janë hasur. Këto vetëvlerësime do të ndihmonin si LA ashtu edhe grantmarrësit për të përmirësuar instrumentat për advokim, si dhe do të rrisnin mundësitë për sukses.
Pavarësisht vështirësive dhe pengesave të ndeshura gjatë procesit të zbatimit, programet e LA kanë sjellë risi në ndryshimin e përkufizimeve dhe të proceseve të ndryshme të punës. Në përshkrimin e mëposhtëm, arritjet renditen në pesë kategori të ndryshme. Gjithsesi, në realitet, këto kategori janë të ndërthurura me njëra tjetrën.
Ndryshim në përkufizim (kuadri i problematikës)
Studimi tregon se të gjitha projektet e zhvilluara me mbështetjen e LA kanë sjellë një ndryshim në përkufizim. Në fakt, ndryshimi në përkufizim është parakusht për të gjitha ndryshimet e tjera, që vijnë nga aktivitetet e mbështetura nga LA. Ky ndryshim në përkufizim ka ndodhur fillimisht tek anëtarët e komuniteteve të përfshirë. Ai përfshin zgjerimin e këndvështrimit, rritjen e ndërgjegjësimit mbi të drejtat e tyre apo drejtësinë e çështjes së tyre, rëndësinë e çështjes, si dhe rrugët dhe mjetet e mundshme për zgjidhjen e çështjes.
Mjaftueshëm kohë dhe përpjekje iu kushtuan edhe ndryshimeve të tjera të rëndësishme në përkufizim:
- Bindja e komuniteteve vendore mbi dobinë dhe nevojën e pjesëmarrjes në procese demokratike;
- Bindja e komuniteteve vendore për të besuar në suksesin e pjesëmarrjes së tyre në procese demokratike.
Në një hap të dytë, ky ndryshim në përkufizim u përçua tek administrata publike vendore përmes mjeteve të ndryshme si peticione, takime, protesta, artikuj në media, video, etj.
Shumë bashki ishin të ndërgjegjshme për detyrimet e tyre dhe për kuadrin ligjor, si detyrimin ligjor për transparencë në procesin e vendimmarrjes, etj. Megjithatë, këto detyrime nuk respektoheshin për shkak të një lloj ngadalësie administrative apo për shkak të mendimit të gabuar se publiku ishte jokompetent apo jo i interesuar për politikat vendore.
Rrjetëzimi dhe dialogu vendor i LA ndihmoi në ndërtimin e të kuptuarit të përbashkët mes banorëve/komunitetit dhe institucioneve të qeverisjes vendore mbi çështjet dhe në arritjen e marrëveshjes për të pasur një qasje të përbashkët në zgjidhjen e çështjeve.
Ndryshimi në sjellje (sjellja e aktorëve)
Ndryshimi në përkufizim shkon krah për krah me ndryshimin në sjellje. Nëse e përcaktojmë ndryshimin në sjellje si aftësia për të menduar mbi një çështje të caktuar, atëherë është e qartë se ndryshimi në përkufizim nuk mund të ndodhë me një ndryshim në sjellje. Idetë formulohen dhe njerëzit ndikohen e mobilizohen vetëm përmes të menduarit.
Në këtë drejtim, ndërhyrjet e LA kanë ndikuar një ndryshim në sjellje. Projekti LA ka ndihmuar publikun e gjerë dhe aktorët kryesorë të jenë në gjendje të flasin më hapur rreth çështjes që adresohet.
Konkretisht, projekti “Nisma ligjvënëse qytetare për ndryshime në Kodin Zgjedhor për të lejuar lista të hapura për Këshillat Bashkiakë” u zbatua përmes një procesi të gjerë konsultimi, i cili përfshiu një mori takimesh të hapura që synonin diskutimin dhe hartimin e një numri ndryshimesh të Kodit Zgjedhor.
Në tërësi, të gjitha projektet kanë organizuar një formë të caktuar diskutimi brenda grupit të nismëtarëve apo grupit të zbatimit/monitorimit. Mjaft projekte kanë përdorur vizitat derë më derë për të kontaktuar banorët. Format më të përparuara të të menduarit/diskutimit kanë qenë forumet publike (të organizuara si takime town hall) me kandidatët në zgjedhjet vendore apo ato të përgjithshme. Mbulimi mediatik ka qenë një tjetër formë e fuqishme e ndryshimit në sjellje, e përdorur me sukses nga projektet.
Të gjitha këto forma diskutimi kanë ndihmuar në përmirësimin e të kuptuarit mes aktorëve vendorë lidhur me çështje, përparësi dhe zgjidhje efektive.
Ndryshim në angazhim (veprime konkrete)
Ndryshimi në angazhim mund të jetë i suksesshëm vetëm pas një lloj ndryshimi të qënësishëm në përkufizim dhe në sjellje. Përndryshe, ndryshimi në angazhim do të ishte thjeshtë një maskë sipërfaqësore, pa ndonjë ndikim në politika apo praktika. Ndryshimet e vërteta në angazhim kërkojnë pjesëmarrje e veprime nga aktorët e përkushtuar në arritjen e qëllimeve të tyre.
Ndryshimi në angazhim ka marrë forma të ndryshme në varësi të tematikës apo qëllimit të projektit. LA ia ka dalë të krijojë hapa të rëndësishëm e konkretë me qëllim adresimin e çështjeve me interes. Ngritja e Forumit të Transparencës, Grupet e Punës, nisja e betejave ligjore kundër projekteve të dëmshme të biznesit (si Thertore apo HEC), caktimi i Koordinatorit të Transparencës, hartimi i ndryshimeve ligjore për Kodin Zgjedhor, krijimi i një platforme dixhitale kombëtare (www.vullnetarizmi.al), mbledhja e 20,000 nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote, janë të gjitha tregues të qartë dhe të vërtetë performance, që tregojnë rritje dhe sukses të frymës që LevizAlbania ka përçuar që prej vitit 2015.
Ndryshim në politika
Ndërhyrjet e zbatuara kanë synuar më së shumti vendosjen e objektivave në përputhje me kuadrin aktual ligjor e të politikave. Si të tilla, kanë bërë përpjekje të përdorin mundësitë e ofruara nga legjislacioni në fuqi, më shumë se sa të ndryshojnë këtë kuadër.
Në një shkallë të caktuar, projekti në Vlorë për administratorët e pallateve ka rezultuar në një ndryshim politike, me urdhrin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë për hapjen e një kursi të formimit profesional për administratorë.
Për më tepër, projektet e grupit B përfshijnë pregatitjen e ndryshimeve në politika, pavarësisht se këto ndryshime do të ndodhin në të ardhmen.
Një analizë e shpejtë e aktorëve të përfshirë në grupin B, tregon se ato janë OJF të konsoliduara që zotërojnë ekspertizë dhe burime thelbësore. Në të kundërt, aktorët e përfshirë në ndërhyrjet brenda grupit A veprojnë më së shumti në nivel taktik se sa në nivel strategjik.
Ndryshim në praktikë (përmirësime konkrete)
Gjatë zbatimit të vet, LA ka pasur një ndikim themelor në mbështetjen e aktorëve lokalë për t’u organizuar, për të krijuar burime e për të zbatuar veprimtaritë e tyre, duke sjellë një mjedis civil aktiv në nivel vendor.
Për më tepër, ndërhyrjet kanë sjellë rezultate të prekshme për komunitetet. Rezultatet janë të ndryshme, për shkak të tematikës dhe objektivave të projektit, duke u paraqitur në formën e të kuptuarit më të mirë të proceseve për më shumë informacion, e deri tek përmbushja e përparësive të vendosura nga qytetarët, etj. Shumë nga bashkitë kanë adresuar premtimet zgjedhore duke arritur rezultate konkrete, të tjerat kanë arritur të publikojnë vendimet e tyre në bazën kombëtare të të dhënave www.vendime.al si dhe në faqet e tyre zyrtare.
Ndërhyrjet në rastin e thertores apo në rastet e HEC kanë pasur nevojë për shumë më tepër kohë në dispozicion, për të sjellë ndikimin e kërkuar, përkatësisht ato që kanë qenë të lidhura me marrjen e një vendimi gjyqësor, për shkak të zgjatjes së proceseve gjyqësore. Zgjatja e proceseve gjyqësore ka qenë një provë e fortë e qendresës së aktorëve civilë të përfshirë. Megjithatë, në fund, këto dy ndërhyrje kanë sjellë ndryshime pozitive në mjedis, kulturë dhe në mirëqenien e publikut.
6. Gjetje
Janë mbledhur shënime dhe janë organizuar me qëllim analizimin e arritjeve me interes dhe ndikimet që janë vërejtur përgjatë viteve.
Pas analizimit të raporteve të ndryshme dhe pas intervistave të zhvilluara me grantmarrës, gjetjet mund të përmblidhen si më poshtë:
- Qytetarët nuk janë të kënaqur me nivelin e adresimit të problematikave të tyre nga administratorët e tyre vendorë. Ata ankohen më së shumti jo për legjislacionin, por për zbatimin e tij;
- Njësitë e Qeverisjes Vendore tregojnë mungesë interesi për nevojat dhe kërkesat e komunitetit. Veprimtaria e njësive të qeverisjes vendore është më shumë reaguese. Ato zbatojnë shumë pak metoda proaktive / veprimtari sistematike që të synojnë njohjen e nevojave të komuniteteve, veçanërisht në zonat e largëta;
- Angazhimi i qytetarëve në procese demokratike mbetet relativisht mesatar. Qytetarët janë mosbesues ndaj përfitimeve dhe mundësive për sukses përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike;
- Mendësia e të rinjve ka ndryshuar, gjë që është mjaft premtuese për të ardhmen. Është vënë re një qasje proaktive e të rinjve në kërkimin e të drejtave të tyre;
- Përfshirja e grupeve të ndjeshme në proceset demokratike përbën një risi. Megjithatë, pjesëmarrja e tyre në veprimtaritë në terren dëmtohet nga koordinimi i dobët i grupeve dhe pamjaftueshmëria e aftësive;
- Programi LA ka luajtur një rol kyç në mundësimin e një mjedisi civil efektiv si dhe në ofrimin e mbështetjes për aktorët vendorë për të realizuar ndërhyrjet e tyre;
- Rezultatet e ndërhyrjeve janë përceptuar nga publiku si të vlefshme dhe të suksesshme;
- Pjesa më e madhe e rezultateve të arritura janë vazhduese, të qëndrueshme dhe të pakthyeshme;
- Media ka luajtur një rol proaktiv në pasqyrimin e saktë të përpjekjeve, sfidave dhe arritjeve të grantmarrësve, aktorëve kryesorë dhe përfituesve;
- Në përgjithësi, ndërhyrjet kanë rritur transparencën dhe qeverisjen e mirë e të përgjegjshme;
- Si rrjedhojë e rasteve të suksesshme, perceptimi publik mbi transparencën dhe procesin e vendimmarrjes nga ana e qeverisjes vendore, është rritur;
- Është vendosur një lidhje më e drejtëpërdrejtë mes komunitetit dhe qeverisjes vendore;
- Në qytetet/fshatrat e mbështetur ka pasur një rritje të besimit të komunitetit se drejtësia ekziston;
7. Përfundime dhe rekomandime
Edhe pse reforma e decentralizimit ishte një arritje e madhe, ka mjaft faktorë, sidomos mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme dhe burimeve të veta, që pengojnë njësitë e qeverisjes vendore të hartojnë dhe zbatojnë plotësisht politika të pavarura dhe eficente. Ndaj, presioni i rritur dhe i vazhdueshëm i organizatave të shoqërisë civile, mbështetur në vijimësi nga LA, ka qenë i nevojshëm për të luftuar apatinë e njësive të qeverisjes vendore dhe për të përmirësuar performancën e tyre në tërësi. Njësitë e qeverisjes vendore duhet të nxiten për t’u bërë më të përgjegjshme ndaj qytetarëve dhe për të krijuar mekanizma institucionalë për të adresuar në mënyrën e duhur problemet dhe kërkesat e qytetarëve.
Problematikat që lindin nga mungesa e burimeve dhe kapacitetet e ulta, janë përgjitësisht më të theksuara në bashki të vogla/të largëta. Niveli i lartë i emigracionit, ekonomia e varfër lokale, mungesa e vëmendjes nga ana e medias kombëtare, etj., i përkeqësojnë këto problematika. Për këtë arsye, vëmendje e shtuar u duhet dhënë aplikimeve që vijnë nga aktivistë dhe organizata lokale në këto bashki “të vogla/të varfra” (ndoshta edhe në formën e thirrjeve për aplikime kushtuar atyre).
Projektet e mbështetura nga LA nuk mbulojnë të gjithë territorin e Shqipërisë. Megjithatë, është e nevojshme të bëhen përpjekje për të zhvilluar projekte në qytetet/fshtrat/zonat e pambështetura, me qëllimin që të arrihet i njëjti nivel zhvillimi dhe ndërgjegjësimi i komunitetit si në ato ku ka patur mbështetje.
Kuadri ligjor është përmirësuar vitet e fundit. Ky kuadër ligjor përfshin të drejtën e informimit, detyrimin për zhvillimin e konsultimeve publike, etj., duke sjellë mundësi të shtuara që mund dhe duhet të përdoren nga ana e qytetarëve dhe OJF-ve. Ndaj, trajnimet, mbështetja dhe shembujt e mirë duhet t’u vihen në dispozicion OJF-ve në mënyrë që të njihen mundësitë ligjore dhe si t’i përdorin ato për të arritur qëllimet e tyre.
Pjesëmarrja e qytetarëve në proceset demokratike përmes grupeve ad hoc të presionit apo përmes OJF-ve të konsoliduara, të pavarura nga partitë politike, mbetet në nivele mesatare. Ndaj mbështetja e vazhdueshme për aktivistët komunitarë dhe OJF-të është e nevojshme, në mënyrë që të ofrohet një kanal shtesë për qytetarët për të ndikuar vendimmarrjen në nivel vendor. Kjo do të forcojë dhe nxisë demokracinë së pari në nivel vendor/rajonal, duke pasur edhe një efekt të mëtejshëm në shkallë vendi.
Çdo komunitet duket se ka specifikat e veta dhe një kombinim të problematikave, shqetësimeve e interesave, duke shtuar këtu edhe kapacitetet specifike apo interesat e aktivistëve lokalë. Prandaj, LA duhet të vijojë të mbështesë aktivitetin e vet në projekte të nxitura nga kërkesa e aktivistëve /OJF-ve. Problematikat dhe qëllimet duhet, për aq sa është e mundur, të përcaktohen nga aplikantët, ndërkohë që LA duhet të ofrojë mjetet e instrumentat në dispozicion për arritjen e qëllimeve.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet çështjeve gjinore dhe përfshirjes së grupeve në nevojë, në të gjitha ndërhyrjet e mbështetura nga LA. Projektet e lidhura me drejtësinë mjedisore duhet gjithashtu të nxiten. Pa dyshim ka projekte të tjera për energjinë dhe transportin, të cilat nuk marrin në konsideratë interesat e komuniteteve lokale.
Zbatimi i “Shërbimeve me Vlerë të Shtuar” ka krijuar mundësi për qytetarët dhe komunitetet për të forcuar më tej dhe nxitur demokracinë në nivel vendor e rajonal.
Shoqata e Bashkive dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore duhet të angazhohen për të shpërndarë praktikat më të mira lidhur me forcimin e pjesëmarrjes qytetare.
Në shtatë vitet e fundit, mjedisi mundësues për shoqërinë civile ka njohur përmirësime të ndjeshme e të vazhdueshme. LA ka dhënë ndihmë të mirë në këtë drejtim dhe mbështetja për OJF-të duket se përputhet plotësisht me këtë qëllim. Në tërësi, LA ka arritur t’ia dalë në krijimin e interesit të dukshëm nga ana e aktorëve kyç në komunitete. Disa nga rezultatet konkrete të arritura janë: transparencë e shtuar në qeverisjen vendore përmes shpërndarjes dhe ofrimit të të dhënave për OJF-të, qytetarët dhe aktorë të tjerë të interesuar, dialog i përmirësuar mes aktorëve dhe në fund praktika të përmirësuara të vendimmarrjes dhe sundimit të ligjit. Çështje të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, kujdesit shëndetësor, strehimit, shkatërrimit të mjedisit, etj., u adresuan në mënyrën e duhur, duke dhënë edhe zgjidhje të suksesshme. Komunitetet i kanë vlerësuar rezultatet e arritura nga projektet e mbështetura nga LA.
Përgatiti nga: Anila Shehi (Dollani)
[1] https://documents-dds-ny.un.org/doc/UNDOC/GEN/N07/464/19/PDF/N0746419.pdf?OpenElement [2] https://www.coe.int/en/web/compass/democracy [3]https://www.idrainstitute.org/files/star2/Local%20Governance%20Mapping%20in%20Albania.pdf [4]https://www.consilium.europa.eu/media/60797/st15935-en22.pdf [5] Raporti Vjetor 2015-2016, LevizAlbania [6]https://www.levizalbania.al/en/initiatives-supported/thirrja-per-aplikime-8/metamorfoza-e-lumit-ishem-itinerari-i-se-nesermes [7] Raport Vlerësimi i Thirrjes për Aplikime nr. 2, Aneks 4 i Raportit të Ndërmjetëm, LëvizAlbania, Shkurt 2018 [8] https://www.infocip.org/al/wp-content/uploads/2017/05/monitorimi-special-publikii-i-vendimeve.pdf [9] https://www.youtube.com/watch?v=jvx4kN_MfBY [10] Raporti I ndërmjetëm 1 korrik-31 dhjetor, 2021, Shtojca 5, “Vlora I jep dritënjeshile administratorëve të ndërtesave të banimit;shoqëria civile fiton kauzën”, Jerola Ziaj. [11] Raporti Vjetor 1 korrik, 2020 – 30 qershor, 2021, LevizAlbania [12] https://klinikateligjit.al/banoret-e-laknasit-mundin-thertoren/ [13] https://cle.al/en/opposition-to-the-construction-of-a-slaughterhouse-in-the-laknas-forest/ [14] Raporti Vjetor 1 korrik 2020 – 30 qershor 2021; [15] Raporti Vjetor Korrik 2021 - Qershor 2022, Shtojca 5. Advokim për ndryshime ligjore për një mjedis më mundësues për vullnetarizmin [16] https://www.levizalbania.al/media/files/2022/02/10/Semi-Annual_Report_LA_July-Dec_2021_for_publication_to_LA_web_page.pdf) [17] Raporti Vjetor Korrik 2021 - Qershor 2022, Shtojca 4- Nismë ligjore qytetare për votimin e këshilltarëve bashkiakë përmes listave të hapura., LevizAlbania [18] https://insiz.org/fazat-e-projektit/ [19]https://bti-project.org/en/reports/country-report/ALB