Bashkitë po përballen me vështirësi të forta financiare, për shkak të goditjes që kanë marrë fillimisht nga tërmeti i 26 nëntorit (një pjesë e tyre) dhe më pas nga pandemia e COVID 19, dinamika e së cilës fatkeqësisht vijon ende. Për herë të parë që pas zbatimit të reformës territoriale dhe administrative në vitin 2015, të ardhurat e qeverisjes vendore nga burimet e veta janë tkurrur. Bazuar në Raportin e Financave Vendore – publikuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në 9 muajt e parë të vitit 2020, rënia e të ardhurave nga burimet e veta vendore për 61 bashkitë në vend ishte rreth 12% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Në vitet e fundit të ardhurat e bashkive nga burimet e veta kanë qenë në rritje, dhe kjo është ndikuar jo shumë nga përmirësimi i performancës në mbledhjen e taksave dhe tarifave sesa nga rritja e barrës fiskale, qoftë në taksat vendore (ku bashkitë gëzojnë të drejtën për të rritur/ulur me +/- 30% nivelin e tyre) dhe tarifave vendore (ku kanë autonomi të plotë vendimmarrje).
“Që prej vitit 2015, për herë të parë të ardhurat nga burimet e veta vendore kanë shënuar rënie vjetore me rreth 12% në terma vjetorë, rënie e cila pritet të vazhdojë edhe në përmbyllje të vitit 2020. Rënia e të ardhurave nga burimet e veta rezulton të thellohet më tej nëse këto të dhëna do t’i pastronim nga Bashkia Tiranë, e cila operon në kushte të ndryshme krahasuar me 60 bashkitë e tjera në vend. Pra, nëse do të konsideronim vetëm 60 bashki rënia e të ardhurave nga burimet e veta vendore do të thellohej në rreth -19.3%. Praktikisht, efektet e fatkeqësive natyrore në vendin tonë po materializohen edhe në buxhetet vendore. Që prej RAT në vitin 2015, ky është frenimi i parë që ndodh në të ardhurat nga burimet e veta vendore, ndonëse politikat fiskale vendore kanë qenë shtrënguese – thënë ndryshe, bashkitë kanë rritur nivelin e taksave dhe tarifave vendore”, shprehet Dr. Merita Toska, Eksperte për Menaxhimin Financiar Publik për Porta Vendore.
Grafik 1. Ecuria e të ardhurave nga burimet e veta vendore

Një analizë e detajuar e ecurisë së të ardhurave nga burimet e veta vendore në Raportin e Financave Vendore 9M2020, evidenton se fatkeqësitë natyrore krahas ngadalësimit ekonomik të përgjithshëm, dhanë efekte të drejtpërdrejta në zëra e të ardhurave nga burimet e veta vendore si taksa mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier, taksat e pronës (veçanërisht ajo e ndërtesës), tarifat vendore për shërbimet publike etj. Raporti nxjerr në pah gjithashtu, se buxheti i bashkive është i varur thuajse tërësisht nga dy taksa të vetme: ajo e ndikimit në infrastrukturë dhe taksa e pronës. E para, e lidhur drejtpërdrejt me lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkitë, dhe e dyta një pagesë që bëjnë qytetarët për banesat e tyre, dhe bizneset për ambientet ku ushtrojnë aktivitetin e tyre. Së bashku, këto dy taksa përbëjnë rreth 85% të të ardhurave totale nga taksat.
Grafik 2. Të ardhurat nga taksat vendore

Në nëntë muajt e parë të viti 2020, bashkitë u përballën me mungesën / pamjaftueshmëri të parave në dispozicion, në një kohë kur nevoja për shpenzime ishte e lartë. Shpenzimet e kryera nga bashkitë me fonde të veta rezultojnë në rënie, ndonëse rënia është më e ulët se tkurrja e shënuar nën nivelin e të ardhurave. Të dhënat tregojnë se shpenzimet me fondet e veta të bashkive regjistruan një nivel prej rreth 41 miliardë lekë në fund të 9 mujorit të 2020-ës, në rënie me rreth 2.6% në terma vjetorë. Nevoja më e lartë për shpenzimeve duket të jetë përballuar me fondet e kushtëzuara, veçanërisht për sa i përket shpenzimeve në funksionin e mbrojtjes sociale (ndihmë ekonomike dhe pagesa PAK).
Grafik 3. Shpenzimet me fonde të veta të bashkive

Kosto e qeverisjes vendore në 9M 2020 rezulton të jetë rritur, si pasojë e shpenzimeve më të larta duke përdorur fonde të kushtëzuara. Ajo që duket më shqetësuese është mënyra e përdorimit të këtyre parave: për çdo 100 lek të shpenzuara nga bashkitë, 82.5 shkuan për mbulimin e shpenzimeve korrente, që nënkupton shpenzimet për personelin dhe shpenzimet operative e të tjera, dhe vetëm 17.5 lekë u përdorën për investime. Ky zë, shënoi dhe rënien më të theksuar gjatë periudhës së konsideruar.
Grafik 4. Kosto e qeverisjes vendore (ne fonde të veta dhe të kushtëzuara)

Raporti i Financave Vendore 9M 2020 evidenton se bashkitë vazhdojnë të kenë borxhe të konsiderueshme, që vlerësohen në rreth 8.7 miliardë lekë në fund të tremujorit të dytë të 2020-ës. Kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, totali I borxheve është rritur me 7%. Një ecuri e pritshme në kushtet kur të ardhurat me fondet e veta kanë rënë, teksa shpenzimet kanë pësuar rritje. Sipas të dhënave të Census-it 2011, borxhi i bashkive përllogaritet në 3.121 lekë për frymë.
Grafik 5. Detyrimet e prapambetura (në miliardë lekë)

“’Më të mëdhenjtë kryesojnë listën e detyrimeve. Por thuajse të gjitha bashkitë, me përjashtime të vogla kanë detyrime të prapambetura të trashëguara por sigurisht edhe të krijuara rishtazi, pra janë detyrime të krijuara pas vitit 2015”, shpjegon Toska.
Raporti i Financave Vendore për 9M 2020, bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, evidenton se krahasuar me stokun e detyrimeve të regjistruar në fund të vitit 2019, stoku i detyrimeve të prapambetura rezulton të jetë rritur veçanërisht në bashkitë: Vorë (+697.1 milionë lekë); Tiranë (+179 milionë lekë); Kuçovë (+110.6 milionë lekë); Kavajë (+80.2 milionë lekë); Belsh (+78.9 milionë lekë). Në të kundërt, disa bashki kanë shlyer një pjesë të mirë të detyrimeve të prapambetura, ndër të cilat bashkitë: Vlorë (-158.4 milionë lekë); Durrës (-81 milionë lekë); Lezhë (-91 milionë lekë); Finiq (-65 milionë lekë); Kukës (-55 milionë lekë); Maliq (-46 milionë lekë); Ura Vajgurore (-30 milionë lekë) etj.
Grafik 6. Detyrimet e prapambetura (pesha e bashkive ndaj stokut total)

Ndër rekomandimet e përfshira në Raportin e Financave Vendore evidentohet pikërisht ai në lidhje me kujdesin e shtuar që duhet të kenë bashkitë në qasjen ndaj stokut të detyrimeve të prapambetura, në mënyrë që ai të mos kthehet në rrezik serioz për qëndrueshmërinë financiare të bashkive.
“Zhvillimet në stokun e detyrimeve të prapambetura mund të përdoren si një sinjalizues i tërthortë i gjendjes financiare të bashkive, e cila aktualisht vlerësohet të jetë në kahun përkeqësues. Në kushtet kur burimet financiare në dispozicion përballen me një rënie të qenësishme vjetore dhe nevojat për shërbime janë intensifikuar nën presionin e pandemisë së COVID-19, bashkitë përballen me një efekt të tipit ‘gërshërë’ – zgjerim të hendekut negativ mes të ardhurave dhe shpenzimeve, i cili për pasojë mund të reflektohet në zgjerim të detyrimeve të prapambetura. Në terma të menaxhimit financiar, situata paraqitet e vështirë dhe e brishtë njëkohësisht, element ky që kërkon vëmendje të shtuar nga qeveritë vendore për të evituar fundosjen e mëtejshme të bashkive në detyrime të prapambetura. Kjo për shkak se pandemia e COVID-19 është ende në vijim, situata financiare e bizneseve dhe individëve paraqitet e dobësuar si dhe paqartësitë për të ardhmen janë në rritje”, shprehet Dr. Toska.
Burimi: Porta Vendore (www.portavendore.al)